Vuçiq uron Bidenin, shpreson për bashkëpunim të mirë sikurse me Trumpin

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka uruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara Joe Biden, duke thënë se shpreson që do të vazhdojë bashkëpunimin ashtu sikurse ka pasur Serbia ka presidentin aktual amerikan, Domald Trump.

“Ju uroj urtësi dhe vendosmëri për t’u përballur me sfidat ekzistuese në të mirë të SHBA-së dhe gjithë botës. Shpresoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë me ju ashtu sikurse e kemi pasur me Donald Trumpin, për të cilin jam shumë mirënjohës”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Një javë më parë, teksa ka folur për diskutimet rreth njohjes së ndërsjellë mes Kosovë dhe Serbisë, Vuçiq ka thënë se në kontekstin e Kosovës, për Serbinë janë të rëndësishme zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara.

“Joe Biden është i preferuari i tyre, nuk është sekret. Unë personalisht kam marrëdhënie korrekte me të, por ajo politikë nuk ishte në favor të Serbisë. Sa i përket fitores eventuale të zotit Donald Trump, e cila është e vështirë por jo e pamundur, atëherë do të ishte diçka më e lehtë për Serbinë ”, ka thënë mes tjerash ai.

Liderët e Kosovës kanë qenë të shpejtë dhe kanë uruar një natë më parë Bidenin për fitoren në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ata kanë thënë se i janë gëzuar fitores së tij dhe mezi presin të nisin bashkëpunimin.

Kujtojmë se më 4 shtator Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshje për normalizim ekonomik.

Si rezultat i marrëveshjes, zyra e Korporatës Ndërkombëtare Amerikane të Financave të Zhvillimit (DFC) është hapur në Beograd më 22 shtator.

Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Joe Biden gjatë një konference për shtyp ka përmendur faktin që djali i tij ka shërbyer në Kosovë në kuadër të trupave amerikane të NATO-s.

Përndryshe, si senator, Biden ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe ka vizituar këtë rajon në disa raste.

Hera e fundit që Biden ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, si zëvendës-president i Shteteve të Bashkuara, ka qenë në gusht të vitit 2016.