Pas takimit më 23 qershor të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Vuçiq duke folur për dialogun dhe takimin me delegacionin kosovar në Uashington kishte paralajmëruar se gjëra të rëndësishme dhe të rëndësisë së veçantë do të ndodhnin.
“Gjëra të rëndësishme do të ndodhin. I bisedova me Presidentin Putin, por nuk dua t’i bëj publike, sepse janë të rëndësisë së veçantë”, tha Vuçiq para tre ditësh.
Rusia si një aleate e vjetër e Serbisë ka theksuar disa herë se do të mbështesë çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vizita e presidentit serb në Moskë ndodhi në prag të takimit të planifikuar për t’u mbajtur më 27 qershor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Më 24 qershor, në ditën kur presidenti Thaçi ishte nisur drejt SHBA-së, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri publik një njoftim ku me një gjuhë politike dhe aspak zyrtare tregoi se ka dorëzuar para dy muajsh aktakuzë kundër Thaçit dhe Veselit për krime lufte.
Kjo aktakuzë ende nuk është e konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake, i cili i ka edhe rreth katër muaj kohë, prandaj edhe publikimi i këtij njoftimi pa u konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake ishte jashtë çdo etike profesionale.
Në këtë njoftim paragjykohej edhe fajësia e dy ish-udhëheqësve të UÇK-së, që emrat u ishin bërë publik në mënyrë selektive dhe kjo ishte shkelje e të drejtave fondamentale dhe shkelje e Kushtetutës së Kosovës.