VMRO: LSDM po tenton t’i pengojë ministrat dhe zëvendësministrat teknik

VMRO-DPMNE, përmes një komunikate me shkrim akuzon LSDM-në për keqpërdorime dhe paaftësi nëpër institucione. Nga kjo parti theksojnë se LSDM po pengon ministrin teknik të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev në kryerjen e detyrave.

“Në LSDM sundon frika se përmes veprimeve të ministrave teknik dhe zëvendësministrave do të dalin në pah të gjitha manipulimet që këta për tre vite i realizuan me urdhër të Zaevit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Sipas tyre, LSDM në çdo mënyrë po tenton t’i pengojë ministrat dhe zëvendësministrat teknik, të cilët sipas VMRO-DPMNE-së, duhet të garantojnë profesionalistet nëpër institucione.

“Dje, i gjithë opinioni e pa se bashkëpunëtorë të ndryshëm të Spasovskit dhe Zaevit i kanë përdorur automjetet zyrtare të MPB-së për nevoja personale”, shprehen nga VMRO-DPMNE duke shtuar se qeveria e LSDM-së vetëm për dy muaj ka punësuar 4.131 ushtarë partiak.