Vladimir Krul: Është koha për qasje të re drejt Ballkanit Perëndimor

Marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor lëvizin në drejtim pozitiv muajt e fundit, pas vendimit për fillim të bisedimeve gjatë kohë të anuluara për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe sigurimin e një mbështetjeje të konsiderueshme mjekësore dhe financiare në përballjen me Kovid-19, vlerëson bashkëpunëtori i Institutit për çështje ekonomike në Londër, Vladimir Krul, në një artikull në “Euraktiv”.

Sipas Krul, për zgjidhje të suksesshme të problemeve do të nevojitet ndershmëri dhe lidership i vërtetë në Samitin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor, sepse megjithëse fillimi i bisedimeve të pranimit me vendet e rajonit sugjeron progres në sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave, megjithatë realiteti është krejt ndryshe.

“Çështja e korrupsionit mbetet problematike si gjithmonë”, konsideron Krul, i cili është ish-këshilltar kryesor ekonomik i ekipit negociator të Serbisë me BE-në.

Ai vlerëson se megjithëse BE-ja ka ndarë miliarda euro për rajonin dhe paralajmëroi më shumë se 3.3 miliardë euro mbështetje financiare të ndërlidhur me përballjen me Kovid-19, megjithatë të dy palët pranojnë se fondet e Unionit ende nuk janë përdorur siç duhet.

Sipas tij, mungesa e një lidershipi efektiv nga ana e BE-së hap hapësirë ​​për Kinën, Rusinë dhe Turqinë, të cilat e “kuptojnë më mirë mentalitetin e rajonit” dhe nuk udhëhiqen nga parimet ose kufizimet e BE-së.

Krul beson se disa vende të Ballkanit mund të refuzojnë ofertën e mbështetjes financiare të BE-së për t’u përballë me Kovid-19, me kusht që të mund ta marrin të njëjtën nga rivalët e saj gjeopolitikë, pa u përmbajtur në rregullat e rrepta të Unionit.

“Shumë analistë pohojnë se BE-ja thjesht nuk ka resurse ose energji për të realizuar lidershipin e tij dhe të zbatojë ndryshim të vërtetë në Ballkanin Perëndimor. Ata madje sugjerojnë që ndoshta është koha për t’ia dorëzuar atë udhëheqje perëndimore SHBA-së”, shtoi Krul.

Sidoqoftë, sipas tij, përkrahësit e argumenteve të tilla nuk e njohin rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE dhe i injorojnë energjinë dhe burimet e rëndësishme që janë shpenzuar deri më tani.

Ai beson se në një kohë kur njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë gjithnjë e më skeptik në lidhje me mundësitë e anëtarësimit të vendeve të tyre në BE, Brukseli duhet t’u dërgojë atyre një mesazh të qartë se është plotësisht i përkushtuar në procesin e pranimit dhe se qeveritë e tyre po ecin përpara. drejt progresit.

“Me metodologjinë dhe planin e ri të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, gjërat nuk mund të shihen si më parë. Duhet pranuar që fondet e BE-së vazhdojnë të përdoren në mënyrë joadekuate. Duhet të krijohet një mekanizëm i ri dhe me të vërtetë i pavarur për të kontrolluar shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve të BE-së”, vlerëson Krul.

Sipas tij, BE-ja gjithashtu duhet të ndryshojë politikën e saj të dhënies së “vlerësimeve të mira” për progresin dhe të jetë shumë më e rreptë dhe më transparente në vlerësimin e saj, me ç’rast duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje sigurimit të pavarësisë së institucioneve demokratike.