Vjosa Osmani për Ismet Pejën: Lamtumirë mjeshtër i këngës, t`u dëgjoftë zani përherë

Doajeni i muzikës shqipe, Ismet Peja, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e këngëtarit e ka bërë të ditur djali i tij Visar Peja.

“Nuk dija ndryshe, as nuk munda ndryshe ta lajmëroj largimin tënd nga kjo jetë. Pusho i qetë sepse ke ngelë i përjetshëm. Të fala i bën mamasë”, kishte shkruar Visari në llogarinë e tij në Facebook.

 

Peja është kujtuar nga emra të njohur përfshirë ushtruesen në detyrë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Facebook e ka kujtuar tashmë të ndjerin Ismet Peja duke e quajtur mjeshtër të këngës.

“Robi s`plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë”. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë. Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik. Këngët e tij do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm! Lamtumirë mjeshtër i këngës. T`u dëgjoftë zani përherë!”, ka shkruar ajo.