Virusi Korona, në izolim shtëpiak ka edhe qytetarë nga Gostivari

Në Gostivar mendohet se për shkak të virusit korona në izolim shtëpiak ndodhen me dhjetëra persona.

Me njërin prej tyre i cili ka udhëtuar nga Italia, Tv Globi gjatë ditës së sotme ka vendosur kontakt. Në një bisedë telefonike ai konfirmon se ndodhet në izolim në shtëpinë e tij nga dita e diel. Ka kryer edhe testin mbi virusin e ri, ndërsa rezultatet i kanë dalë negative.

Familja e tij është larguar nga shtëpia dhe pasi ndodhet i vetëm, atij i kanë përfunduar edhe ushqimet dhe gjësendet e tjera të nevojshme të përditshmërisë. Ai apelon institucionet kompetente t’i dalin në ndihmë, pasi të njejtit edhe i ka kontaktuar dhe ka kërkuar ndihmën e tyre.

Personi i izoluar thotë se ndjehet mirë me shëndet, nuk ka asnjë nga shenjat e virusit korona e as temperaturë të lartë trupore.

Në izlolim ndodhet që para dhjetë ditësh, ndërsa tre ditë ndodhet në izolim në shtëpinë e tij. Masa e izolimit i përfundon pas dy ditësh.

Siç meson Tv Globi, Kryqi i Kuq i Gostivarit pasditën e sotme i ka dërguar pesonit në fjalë ushqim dhe gjësende tjera të nevojshme. Ndryshe, për shkak të mos përhapjes së panikut, identiteti i tij nuk zbulohet edhe pse i njejti ka rezultuar negativ nga virusi korona.