Viktima nga protestat kundër ligjit të ri për nënshtetësinë

Urdhrat që ndalojnë mbledhjet e mëdha të njerëzve dhe pezullimin e shërbimeve të internetit u zgjatën në zona të reja në Indi, ndërsa protestat kundër ligjit të ri për nënshtetësinë vazhdojnë.

Ligji i ri u ofron shtetësinë indiane të gjithë emigrantëve ilegalë jomyslimanë, të ardhur nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani.

Pavarësisht ndalimit, në qytetet indiane janë vrarë gjithsej 21 persona në demonstrata, me numrin më të madh të viktimave në shtetin verior Uttar Pradesh.

Qindra protestues dhe policë janë plagosur.

“Pesëmbëdhjetë persona kanë vdekur deri më tani në Uttar Pradesh”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Praveen Kumar.

Ai shtoi se janë plagosur 263 policë.

“Gjatë protestave të zhvilluara dje pati disa incidente dhune, përfshirë këtu zjarrvënie të qëllimshme, goditje me gurë dhe dëmtim të pronës publike”, deklaroi Singh.

Një 8-vjeçar u vra në rrëmujën e shkaktuar ndërsa policia u përpoq të shpërndante një turmë.

Transmetuesi i lajmeve NDTV raportoi se sot kishte pjesëmarrje të mëdha protestuesish në disa qytete, përfshirë Kolkatan (ish-Kalkuta), Patnan, Kochin dhe Thiruvananthapuramin.