Vijon hetimi për sulmin kibernetik ndaj ueb faqes së KSHZ-së

Prokuroria Publike e kompleton procedurën për prokurimin e softuerëve në KSHZ. Kompania që ka punuar në aplikacionin e KSHZ-së për monitorimin e rezultateve të zgjedhjeve DUNA, konfirmoi për Alsat Prokurorisë ia kanë dorëzuar dokumentet për marrëveshjen e lidhur dhe për përpilimin e softuerit që e përdor KSHZ-ja. Nga atje ata thonë se nuk janë përgjegjës për sistemin kompjuterik dhe rrjetin, si dhe për faqen në internet sepse ata vetëm ia kanë shitur aplikacion KSHZ-së. Ata thonë se qendra kompjuterike e KSHZ-së është përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe sigurinë.

“Aplikacioni ynë nuk u sulmua. U sulmua uebfaqja e KSHZ-së”, thonë nga DUNA.

Dje, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion hyri në KSHZ dhe konfiskoi dokumentacionin e tenderit për prokurimin e softuerit për faqen e internetit. Prokurorja Vilma Ruskovska për Alsat tha se Prokuroria pas një informacioni të marrë për procedurë të zhvilluar joligjore në KSHZ dhe një urdhëresë të marrë paraprakisht nga gjykatësi i procedurës paraprake, lëshoi urdhër për konfiskimin e dokumentacionit të plotë të tenderit.

Nga DUNA thonë se kanë konkurruar në tenderin që e ka shpallur KSHZ-ja bashkë me një kompani tjetër. E kanë fituar tenderin sepse çmimi i tyre ka qenë më i ulët edhe atë 5 herë më pak se shuma që e ka ofruar kompania tjetër konkurruese. edhe kryetari i KSHZ-së Derkovski për Alsat M dje tha se e gjithë procedura ka qenë ligjore.

Në ndërkohë kryetari i KSHZ-së dorëzoi nismë për ngritjen e procedurës disiplinore për shefin e Qendrës kompjuterike të KSHZ-së. Tani sekretari i përgjithshëm i KSHZ-së ka dy mundësi- nëse e pranon nismën duhet të formojë komision, ose menjëherë ta hedhë poshtë kërkesën si të pabazë.

Lidhur me sulmin kibernetik ndaj faqes së KSHZ-së nga MPB-ja thonë se hetimi po vazhdon. Ditën e zgjedhjeve faqja e internetit e KSHZ-së nuk punonte dhe qytetarët nuk kishin mundësi t’i ndjekin rezultatet zgjedhore. Në ndërkohë u sulmuan edhe faqet e internetit të ministrive të shëndetësisë dhe arsimit.