(Video) Agjencia që e nxorri fituese Bdi-në kishte marrë 3 milionë euro nga qeveria Vmro-Bdi

Pas publikimit të hulumtimeve nga institutet amerikane të cilat parashohin fitore të opozitës shqiptare në zgjedhjet e 15 korrikut, janë shpeshtuar manipulimet me anketa nga disa agjenci të vendit, raporton TV Shenja. Portale të afërta me partinë shqiptare në pushtet, BDI, kanë publikuar një anketë e cila nxjerr fitues këtë parti dhe partnerin e tyre të dikurshëm VMRO-DPMNE-në. Por, që në publikimin e lajmit për këtë anketë bie në sy manipulimi me titullin dhe emrin e agjencisë. Portalet e afërta me këtë parti anketën ia kanë atribuar Europe Elections, me të cilën pretendohet se kjo është agjencia që ka realizuar hulumtimin, por në të vërtetë anketa është bërë nga Agjencia vendase “Market vision”. Por, kush qëndron prapa kësaj agjencie dhe cila është veprimtaria e tyre e deritanishme?

Në një hulumtim të Qendrës ballkanike për gazetari hulumtuese BIRN, thuhet se Qeveria e Maqedonisë në periudhën 2008-2015, nëpërmjet sekretariatit të përgjithshëm vetëm me gjashtë agjenci të marketingut ka lidhur marrëveshje në vlerë rreth 14 milionë euro në një periudhë prej shtatë viteve. Sipas hulumtimit të Prizmas, Agjencia që ka publikuar anketën e fundit e cila nxjer fitues dy partnerët e vjetër, ka fituar 3 milionë euro projekte pikërisht nga Qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI.

BIRN – Prizma

“Agjencia e marketingut që ka fituar pjesë më të madhe nga kulaçi reklamues i Qeverisë përmes sekretariatit general, “Market vision” është në pronësi të Vlladimir Cvetinovski, bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit në kohën kur Gruevski ishte ministër i tregtisë në kabinetin e Lupço Georgievskit. Cvetinovski është anëtarësuar në disa këshilla drejtues, përderisa paralelisht ka punuar në fushatat e Qeverisë përmes “Market vision. Të dhënat nga byroja për furnizime publike tregojnë se marrëveshjet e Qeverisë me këtë agjenci nga viti 2008 deri më sot kapin vlerën prej diç më shumë se 3 milion euro”

Drejtuesi i Agjencisë ka konfirmuar se shuma e mjeteve është përafërsisht e ngjashme me atë të zbuluar nga hulumtimi në fjalë, ndërsa disa projekte nuk janë realizuar deri në fund.

Vlladimir Cvetinovski për BIRN
“Një pjesë e caktuar e marrëveshjeve që janë lidhur me sekrtetariatin gjeneral nuk janë realizuar, andaj me këtë shuma është është pak më ndryshe, por në përgjithësi është në nivel të asaj që e përmendët. Përafërsisht rreth 10 deri në 15 përqind më pak”

Kjo Agjenci mbahet mend edhe për dështime në parashikimet e tyre gjatë zgjedhjeve të kaluara.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale, në rrethin e parë, Market Vision kishte parashikuar se e para do të dilte kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova me 18.6%, ndërsa Stevo Pendarovski i dyti me 18%. Por rrezultatet zyrtare ishin krejtësisht të kundërta. Në rrethin e parë fitoi Pendarovski me 43.85% të votave nga qytetarët që kishin dalë në zgjedhje, ndërsa Siljanovska Davkova kishte dalë e dyta në 42.24%. Arben Zeqiri /SHENJA/