Veseli falënderon SHBA-të, BE-në dhe Turqinë për ndihmat: Kosova është me fat që ka shtete mike

Me anë të një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se Kosova është e bekuar që ka shtete mike partnere që kanë ndihmuar në çdo sfidë gjatë së kaluarës.

“Kosova është e bekuar që ka shtete mike partnere që na kanë ndihmuar në çdo sfidë gjatë së kaluarës dhe që na gjenden pranë gjithmonë në nevojë. Dëshiroj të falenderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Turqinë për ndihmën bujare që na kanë dhënë gjatë ditëve të fundit, për të përballur luftën kundër koronavirusit”, ka shkruar Veseli.

Tutje, Veseli ka thënë se Kosova e mirëpret dhe vlerëson çdo ndihmë që vije nga jashtë në këtë situatë të rëndë për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka ende nevojë për ndihmë, duke parë se si lufta kundër pandemisë ka vënë në vështirësi edhe shtetet më të zhvilluara të botës.

“Ne mirëpresim dhe vlerësojmë jashtë mase çdo ndihmë që vjen në këtë situatë të rëndë. Kosova ka ende nevojë për ndihmë nga miqtë, sepse të gjithë e kemi parë se lufta kundër pandemisë ka vënë në vështirësi edhe shtetet më të zhvilluara të botës. Populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë ndihmën e dhënë në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai.