Venezuela dëbon ambasadoren e BE-së

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, urdhëroi ambasadoren e Bashkimit Evropian në këtë vend që të largohet brenda 72 orësh.

Dëbimi i Isabel Brilhante Pedrosas erdhi disa orë pasi BE-ja vendosi sanksione kundër 11 zyrtarëve të Venezuelës.

Ata u saksionuan për veprime kundër Asamblesë kombëtare, të kryesuar nga udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido.

Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm vitin e kaluar, por ai nuk ka arritur ta largojë Maduron nga pushteti.

Lideri i opozitës ka mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

“Nëse ata nuk mund ta respektojnë Venezuelën, atëherë duhet të largohen”, tha Maduro duke folur për zyrtarët e BE-së.

Të hënën, Këshilli Evropian tha se 11 zyrtarë të Venezuelës janë shtuar në listën e të sanksionuarve “për shkak të rolit të tyre në akte dhe vendime që dëmtojnë demokracinë dhe shtetin e ligjit në Venezuelë”.

Në total janë 36 zyrtarë të Venezuelës të sanksionuar nga BE-ja.

Loading...