Ushtria s’do të mbajë rend para bankave, do të sigurojë vetëm institucionet shëndetësore

Edhe pse u paralajmërua që prej sot ushtria do të vendoset para objekteve shëndetësore për të mirëmbajtur rendin para covid-qendrave, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska tha se sot janë bërë vetëm konsultime me organet përgjegjëse dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe se prej nesër do të dihet saktë se ku do të vendosen pjesëtarët e armatës që do të ndihmojnë me sigurimin e objekteve shëndetësore.

“Mbrëmë presidenti solli vendimin, sot në mëngjes Ministria e Punëve të Brendshme koordinohet me Armatën dhe Ministrinë e Shëndetësisë për atë se ku do të vendosen pjesëtarët e armatës. Pres që në bazë të kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së nesërme të fillojë shpërndarja. Vendimet nuk i merr as Ministria e Mbrojtjes as Armata por i marrim në koordinim me Qendrën për Menaxhim me Kriza në bazë të kërkesave të institucioneve të shëndetësisë”, deklaroi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes/

Por a do të vendoset ushtria edhe para bankave, ku edhe disa herë është apeluar se bëhen grupime të mëdha të njerëzve, Shekerinska por edhe ushtruesi i detyrës drejtor i QMK-së, Stojançe Angellov sqaroi se bëhet fjalë për sigurimin e institucioneve shëndetësore dhe se asnjëherë nuk ka pasur plan që ushtria të qëndrojë para bankave.

“Gjatë ditës së sotme, shtabi kryesor në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, policia dhe Ushtria do të përcaktojnë saktësisht se ku dhe kur përfaqësuesit e Ushtrisë do të dalin në mbështetje të policisë. Kjo nuk do të thotë që numri i përgjithshëm i parashikuar në vendimin e Komandantit suprem nga nesër do të jetë në rrugë. Do të aktivizohen vetëm aq trupa sa është e nevojshme në këtë fazë”, tha Stojançe Angellov, u.d drejtor Qendra për Menaxhim me Kriza.

Shekerinksa gjithashtu njoftoi se me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, nga e hëna edhe 12 mjekë dhe 20 infermiere do t’i forcojnë ekipet ushtarake që aktualisht po ndihmojnë në shëndetësi.