Ushtari amerikan i dekoruar në Kosovë, arrestohet për grushtet në Venezuelë

Komanda e Forcave Tokësore të SHBA-ve zbuloi identitetin e ish-ushtarëve amerikanë të përfshirë në tentativën për grusht shteti në Venezuelë, prej të cilëve njëri fitues i Medaljes së Fushatës së Kosovës (Kosovo Campaign Medal).

Përderisa vazhdojnë debatet rreth arrestimit të dy ushtarëve amerikanë duke tentuar një përpjekje për grusht shteti ushtarak, Komanda e Forcave Tokësore publikoi të dhënat e detajuar të këtyre personave rreth detyrave të tyre në ushtri.

Në deklaratën nga Komanda e Forcave Tokësore për gazetën “Army Times”, ish-oficeri i lartë i cili ka qenë me detyrë në forcat speciale të SHBA-së “Beretat e Gjelbra” (Green Beret), Jordan Goudreau, iu ka mundësuar ushtarëve që të marrin pjesë në tentativën për grusht shteti.

Sipas informacioneve të siguruara nga Komanda e Forcave Tokësore, Goudreau mes viteve 2001 dhe 2016 ka shërbyer si rreshter mjekësor dhe i artilerisë në Forcat Tokësore.

Ai mes viteve 2006 dhe 2010 dy herë ka qenë në Irak ndërsa mes viteve 2010 dhe 2014 dy herë në Afganistan.

Nga ana tjetër, 43-vjeçari Goudreau, në llogarin e tij në LinkedIn, bën të ditur se në vitet 1990-ta ka punuar në Forcat e Armatosura të Kanadasë.

Ai posedon një kompani private të quajtur Silvercorp USA Inc. me seli në Florida.

Ndërsa, Airan Berry, njëri nga ish-ushtarët pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti dhe i arrestuar nga forcat e sigurisë së Venezuelës, ka shërbyer si rreshter inxhinier i Forcave Tokësore, i cili mes viteve 2003 dhe 2007 ka qenë 3 herë në Irak.

Berry, posedon medalje të shumta të forcave speciale, në mesin e të cilëve edhe Medalja e Fushatës së Kosovës (Kosovo Campaign Medal).

Më tutje, sipas të dhënave të Forcave Tokësore, ish-ushtari tjetër Luke Denman, gjithashtu i arrestuar nga forcat venezuelase të sigurisë, ka shërbyer deri në vitin 2010, ku gjatë këtij viti një herë ka qenë në Irak.

– Çfarë kishte ndodhur në Venezuelë

Në operacionet e forcave të sigurisë në Venezuelë që nga 3 maji, ishin arrestuar 17 persona prej të cilëve 2 amerikanë, për të cilët qeveria pretendon se janë përpjekur që të infiltrohen në vend për të kryer sulme të armatosura, atentat dhe grusht shteti.

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, kishte treguar pasaportat, identitetet dhe kartelat e kompanisë Silver Corp USA, të shtetasve amerikanë të kapur, Luke Alexander Denman dhe Airan Berry.

Në operacionet ku u konfiskuan shumë pajisje ushtarake dhe armë të rënda, ishte kapur edhe Antonio Seqea, ish-bolivariani anëtar i Njësisë së Gardës Kombëtare i cili mori pjesë në tentativën ushtarake nën udhëheqjen e Guaidos në janar të vitit 2018.

Maduro kishte theksuar se personat e kapur janë duke u mbështetur nga qeveritë amerikane dhe kolumbiane, duke pohuar se kanë lidhje me Guaidon.