Universiteti i Tetovës është projekti më i madh shqiptar në shekullin që lam pas

Universiteti i Tetovës është projekti më i madh kombëtar i yni në shekullin që e lamë pas. Përveç arsimimit, edukimit dhe emancipimit, ai qe edhe simbol i flijimit, sakrificës, bashkimit dhe forcimit të ndjenjës kombëtare…

Sfidat kanë qenë të vështira nëpër 25 vjetët e ekzistencës, por, fatmirësisht pati shqiptarë që i dolën zot dhe të tillë do të ketë gjithmonë.

Personalisht jam tepër i lumtur, që sot rilindi figura e rektorit themelues, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, gjë që më jep shpresë se ne dimë t’i çmojmë, ruajmë dhe kultivojmë vlerat tona. Njëherë, kur ne përmballeshim me dilemën hamletiane “të jesh, apo të mos jesh”, profesor Fadili më tha: “Arbër, mua më çuan përtoke, por ende i tremben hijes time”, i mbusha sytë me lot atëbotë dhe sot, teksa e pashë të qëndronte aq i paepur dhe madhështor përpara Universitetit.

Jam i bindur se hija e tij nuk tremb më askënd, por mrekullon, inkurajon dhe motivon. Le të shërbejë ajo si dritë e përjetshme për ne dhe gjakun që vjen!

Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

Shkruan: Prof.Dr. Arber Celiku