Ulja e temperaturave qetëson zjarret në Australi

Kjo është periudha kur zjarrëfikësit veprojnë që të mos lejojnë përhapjen e mëtejme të zjarreve. Por, autoritetet atje thonë se sezoni i zjarreve është larg fundit, prandaj kjo çështje duhet të ndiqet me kujdes.

Ekipet e emergjencës në qytezën Bodalla në Nju South Uells, shteti më i goditur nga zjarret e javëve të fundit në Australi, thonë se ndryshimi i temperaturave u krijoi kushte që të luftojnë me zjarret, duke parandaluar përhapjen e tyre në një autostradë kryesore.

Zjarri në malin Gospers në veriperëndim të Sidnejt, që filloi të digjej nga muaji tetor, tani është nën kontroll fal reshjeve të lehta të shiut.

Megjithatë, 111 zjarre tjera janë ende të ndezura në këtë shtet, 40 prej tyre të pakontrolluara, thonë në departamentin kundër zjarreve.

“Me ndryshimet e temparaturave, zjarret janë qetësuar. Kjo na mundëson që ne t’i dalim zjarrit përballë dhe të luftojmë me të. Duhet të punojmë që të krijojmë ndarjen midis pjesës së paprekur të tokës me zjarret që do të vijnë. Në dy ditët e fundit kishim sukses. Për aq sa klima është në anën tonë, kështu do të vazhdojmë”, tha Dale McLean, zjarrfikës.

Situatë pothuajse e njëjtë është edhe në shtetin Viktoria. Atje, kryeministri i shtetit Viktoria, Daniel Andrews, paralajmëroi se sezoni i zjarreve nuk ka mbaruar, prandaj kujdesi duhet të vazhdojë.

“Zjarret nuk mbaruan, çdo natë ndizen të reja. Për momentin kemi 19 zjarre dhe një numër paralajmërimesh emergjente. Rëndësi ka që të njoftohen komunitetet. Na presin disa muaj shumë sfidues dhe kushte të vështira. Do të vazhdojmë të shohim më shumë zjarre, prandaj duhet të jemi vigjilent”, tha Daniel Andrews, udhëheqës i qeverisë në Viktoria.

Kjo nuk është periudhë fare e lehtë për zjarrëfikësit, thotë Steve Warrington nga departamenti kundër zjarreve në shtetin Viktoria.

“Kishim gati 5 për qind të vendit, të djegur ose duke u djegur, pra jemi në ndjekje të zjarreve që janë shprëndarë në mijëra kilometra. Për shumë arsye kjo është periudha më e rrezikshme për zjarrëfikësit, sepse veç rrezikut nga zjarri ndodhin edhe të papritura të tjera si rrëzim i pemëve. Pra është kohë kritike për ne”, tha Steve Warrington, nga departamenti kundër zjarreve në shtetin Viktoria.

Që nga shtatori, të paktën 27 persona humbën jetën si pasojë e zjarreve që dogjën më shumë se 10 milion hektarë tokë.

Të shtunën në Sidnej, njoftohet se 30 mijë persona protestuan kundër ndryshimeve klimatike si dhe kritikuan qeverinë australiane për reagimin ndaj zjarreve.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, po vëzhgohet me kujdes për mënyrën se si trajtoi zjarret, duke u akuzuar se ai zvogëloi rolin e ndryshimeve klimatike në zjarret shkatërrimtare.

Shefi i ekzekutivit në të kaluarën ka mbrojtur politikat e tij mbi energjinë dhe klimën si të përshtatshme dhe të përgjegjshme, por të shtunën tha se qeveria e tij po punon që të krijojë një program afatgjatë që të ulet rreziku i katastrofave natyrore, si kundërpërgjigje për ndryshimet klimatike. /VoA