Uashingtoni manipulon në Ballkan teksa flakët e COVID-it përfshijnë botën

James W. Pardew
(Diplomat amerikan, i dërguari special i Departamentit të Shtetit Amerikan gjatë krizës së vitit 2001 në Maqedoni dhe garantuesi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit)

Ç’lloj interesi i mundshëm amerikan ofrohet nga ana e diplomacisë vepruese të administratës Trump që po destabilizon Kosovën, një vend i vogël dhe vullnetar pro-Amerikan i Ballkanit, në kohën epandemisë globale shëndetësore? Dhe përse ekipi i Trumpit do të vepronte kësisoj, kur SHBA-tëe parandaluan Serbinë (me forcë) nga kryerja e gjenocidit në Kosovë në vitin 1999?
Kjo është në veçanti enigmatike, kur dihet botërisht se SHBA-të ishin lojtari kryesor në fitimin e pavarësisë të Kosovës dhe se Kosova ka qenë vendi më pro-Amerikan në Evropë pas pavarësisë së saj. Megjithatë, diplomacia vepruese amerikane sot favorizon Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë në rajon.
I dërguari i Trump-it, Richard Grenell-i, e ka sajdisur Kosovën në pranimin e kërkesave serbe, si pjesë e një “negociimi” për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Grenell-i udhëheq përpjekjet e tanishme diplomatike të SHBA-ve në Kosovë; ai gjithashtu mban pozitën e Ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani dhe ushtron detyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Ky është një korpus absurd detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe me inteligjencë nën-mesataren.
Raportohet se Grenell-i si ambasador qenka një fatkeqësi në Gjermani, nëse standardi merret si një marrëdhënie bashkëpunuese me ndoshta aleatin më të rëndësishëm demokratik të SHBA-ve në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi presin që Grenell-i të largohet nga detyra.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, e quajti Grenell-in si “njëri ndër njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë”.
Serbia sot udhëhiqet nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, një nacionalist serb ky, i cili po përdor urrejtjen etnike si një mjet politik për të fituar mbështetjen politike vendore – ashtu siç bëri Sllobodan Millosheviqi në vitet e 90-ta. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin ndasi dhe armiqësi në Bosnje dhe Kosovë. Vladimir Putini është i lumtur të mbështesë Beogradin në çdo gjë, që minon unitetin e Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.
Ajo që Trump-i dhe Grenell-i janë duke bërë tani në Kosovë, i shemb politikat e suksesshme amerikane në rajon, në mënyrën e tyre më qenësore.
Një parim amerikan që solli paqe në rajon deri në vitin 2008, ishte koncepti që kufijtë ishin të paprekshëm dhe se zgjidhjet politike duhet të gjenden brenda kufijve të kombeve të prekura. Marrëveshja e Ohrit, e cila parandaloi luftën në Maqedoni, thotë qartë se “nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike.” Të drejtat, jo territori, janë zgjidhja për këto probleme.
Udhëheqja amerikane e një koalicioni të fortë partnerësh ndërkombëtarë përdori diplomaci dhe forcë ushtarake të fuqishme për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për të parandaluar një katastrofë tjetër humanitare në Kosovë dhe për të parandaluar një luftë qytetare në Maqedoni, nga viti 1995 deri më 2008, pasi ish-Jugosllavia u shpërbë. Përpjekja e udhëhequr nga amerikanët në ish-Jugosllavi ishte një sukses i madh i politikës së jashtme për SHBA-të në periudhën e hershme pas-Sovjetike.
Sot, Kosova është një vend sovran demokratik, i njohur nga 97 shtete. Por Serbia ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Si reagim, Kosova vendosi një tarifë 100 përqind për mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenell-i është duke e shtyrë Kosovën të heqë tarifat për të lëvizur negociatat e ngecura.
Tashmë dihet botërisht se sanksionet dhe tarifat ndërkombëtare përbëjnë armën kryesore të administratës Trump, kështu që, si rrjedhojë, kundërshtimi i Trump-it ndaj tarifave legjitime të importit të Kosovës,si një trysni ndërkombëtare, është më se ironik.
Për ta detyruar Prishtinën zyrtareqë ta heqë embargon, SHBA-të i pezulluan ndihmat aq të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Uashington madje ngritën mundësinë e heqjes së kontigjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë, që kanë qenë thelbësore për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999. Ky ishte faktori kryesor që bëri që qeveria e Kosovës me në krye kryeministrin Albin Kurti, të binte si virusi COVID-19 i përhapur në rajon. Kosova sundohet tani nga një qeveri e dobët kujdestare.
Grenell-i duket se parapëlqen qëndrimet e politikanit kosovar, të pranishëm për një kohë të gjatë dhe Presidentit aktual Hashim Thaçi, i cili ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje edhe atë, që përfshinte një shkëmbim tokash midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një bisedë personale në Uashington,para një viti, unë e këshillova Thaçin se marrëveshja për shkëmbimin e tokës ishte një mashtrim serb që nuk shpinte askund, dhe se ai nuk mund t’i besonte administratës Trump në asnjë negociatë me Beogradin. Fatkeqësisht, ai i injoroi këshillat e mia.
Shumë pyetje e rrethojnë misionin Grenell në Kosovë. Përse dikush me përvojë kaq të kufizuar dhe me një portofol kaq të rëndësishëm kombëtar do të angazhohej në negociata midis dy kundërshtarëve të dobët të Ballkanit? Përse Grenell-i po merr një qëndrim pro-serb në bisedime? Përse SHBA-të po destabilizojnë një vend pro-Amerikan në një kohë kaq të ndjeshme?
Kësaj pune po i vjen erë e qelbur.
Megjithatë, unë dyshoj se ekziston diçka më shqetësuese, veçanërisht pasi unë mbetem thellësisht i dyshimtë për marrëdhëniet e Trump-it me Vladimir Putin-in. Unë dyshoj (kuptohet, pa prova), që Putini ia ka paraqitur Trump-it pikëpamjet e tij pro-serbe, duke e vënë theksin mbi atë, se shqiptarët janë muslimanë dhe më pas iaka kërkuar Trump-itndihmesën e tij në negociata.
Ashtu si me ndrmarrjet e tjera të konceptuara keq, Trump-i bëri shërbëtorin e tij besnik, Grenell-in, këtë njeri agresiv dhe antagonist në çdo pikëpamje, malerin e Kosovës, ta quaj kështu. Kjo do të ishte një dhuratë e lehtë për Putin-in, i cili kënaqet të shkaktojë telashe (të çfarëdo lloji) në Evropë.
Të kesh të angazhuar në ish-Jugosllavi një diplomaci të frymëzuar nga Trump-i, është sikur të luash një lojë dy-vjeçare me një qiri të ndezur nëpër kasolle.
Misioni Grenell në Kosovë rrezikon paqëndrueshmëri në Ballkan dhe nuk i shërben interesit kombëtar amerikan. Politika e tanishme e SHBA-ve për Kosovën është emëruesi i paaftësisë diplomatike në minimum, madje ndoshta edhe një keqpërdorimi llojit të vet.
Ndërsa COVID-19 vringëllonpërmes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, Grenell-i nuk duhet të hukasë në Ballkan, kur atij i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për ta përmirësuar situatën.
Përkundrazi, SHBA-të duhet të promovojnë një qeveri të qëndrueshme në Kosovë, për të trajtuar shëndetshëm krizën. Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë një problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze, profesionale diplomatike, dhe jo një politikë të njëanshme gjysmë të pjekur, e cila luan në interes të Serbisë dhe Rusisë.

Nga anglishtja shqipëroi: Arbër ÇELIKU

Të drejtat e rezervuara