Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar një sulm ajror në aeroportin e Bagdadit që vrau Gjeneralin e Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani. Lajmin e ka konfirmuar Pentagoni.
Në këtë sulm ajror u vra edhe Abu Mahdi al-Muhandis, shefi i milicisë së Iranit, që njihen ndryshe edhe si Forcat e Mobilizimit Popullor, të cilat ishin përgjegjëse për sulmin e fundit ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad.
Pentagoni sqaron me anë të një komunikate se “ushtria amerikane ka ndërmarrë veprime për të mbrojtur personelin amerikan jashtë shtetit, duke vrarë Qassem Soleimanin”.
Pak pas sulmit ajror, Presidenti Trump postoi në Twitter një foto të flamurit amerikan, pa dhënë shpjegime.
Irani e ka quajtur sulmin ajror një akt “terrorizmi ndërkombëtar” dhe lideri suprem i vendit, Ajatollahu Ali Khamenei, u betua se “do të hakmerret ashpër ndaj kriminelëve që vranë Soleimanin”.