Tusk: Mos hapja e negociatave, mundësi për destabilizim

Ish presidenti i Këshillit Europian, tani kreu i PPE-së Donal Tusk në një intervistë për “The Guardian” ka thënë se mos nisja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mund t’i kushtojë Europës me destabilitet të brendshëm.

Mendoj se ishte një gabim i madh strategjik dhe politik për të thënë “Jo” pas aq shumë angazhimesh e sakrificash, veçanërisht në Shkup. Evropa do të jetë më pak e sigurt për shkak të vendimit, duke shkaktuar jehonë argumentesh në rajon se pasiguria për një të ardhme evropiane mund të shkaktojë destabilitet- tha Donald Tusk, Kryetar i Partisë Popullore Evropiane

Tusk kritikoi presidentin francez Makron, duke thënë se ai “ka probleme me idetë e reja” për zgjerimin. Tusk tha se për dallim nga Makron, kancelarja gjermane Merkel është në gjendje të sakrifikojë gjithçka vetëm për ta mbrojtur Evropën si një tërësi.

Presidenti Stevo Pendarovski në konferencën kushtuar dialogut që po mbahet në Berlin, tha se “Qytetarët në rajon dyshojnë se për BE-në, Ballkani Perëndimor është Turqia e dytë”.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, Mali i Zi dhe Serbia me vite negociojnë, dy shtete, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për vite me radhë presin datë për fillim të negociatave, kurse dy të tjerat, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën as që i përmend dikush. Andaj qytetarët e këtij rajoni kanë filluar gradualisht ta humbin shpresën se do t’i ndjejnë vlerat e anëtarësimit në Union, dyshojnë se Ballkani Perëndimor do të jetë në situatë të njëjtë si Turqia- tha Stevo Pendarovski, President i RMV-së

Pendarovski tha se BE-ja nuk guxon t’i lë vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë saj, pasi qytetarët e rajonit meritojnë standard më të mirë jetësor./Alsat