Turqia vazhdon me lehtësimin e masave, trenat sërish qarkullojnë

Turqia sot rinisi shërbimin e trenit me shpejtësi të lartë, si pjesë e lehtësimit të masave të vendosura me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një ceremoni në kryeqytetin Ankara, ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu, e quajti këtë veprim një hap tjetër të rëndësishëm në procesin e normalizimit të Turqisë.

Megjithëse trenat do të funksionojnë me kapacitet 50 për qind, çmimet e biletave do të qëndrojnë të njëjta, shtoi ai.

Me shërbimin e rifilluar, maska, distanca sociale dhe higjiena janë të gjitha të domosdoshme për “normalitetin e ri”, kështu që mbajtja e maskës në të gjitha stacionet dhe trenat do të jetë e detyrueshme, shpjegoi Karaismailoğlu.

Ai po ashtu theksoi se Turqia sa më parë do të fillojë ofrimin e shërbimit hekurudhor me trena elektrik të prodhimit vendor.

Turqia është duke shënuar gjithnjë e më shumë rikuperime nga COVID-19, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuara të mërkurën.