Turqi, mbi 17 mijë qytetarë në karantinë

Më shumë se 17,000 qytetarë turq janë në karantinë si pjesë e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri(COVID-19), bëri të ditur Ministri i Rinisë dhe Sportit, Mehmet Kasapoğlu.

Gjithsej 17,506 qytetarë janë në izolim në konviktet nëpër 76 provinca, tha Kasapoğlu. Rreth 51,747 qytetarë deri më tani janë liruar nga karantina pas përfundimit të periudhës së detyrueshme 14 ditore, shtoi ai.

Ai theksoi se Turqia riatdhesoi qytetarët e saj nga 89 vende dhe janë në karantinë në konvikte që i përkasin Ministrisë së Rinisë dhe Sportit.

“Ne jemi krenarë të presim jo vetëm qytetarët tanë që vijnë nga jashtë, por edhe personelin tonë të ushtrisë heroike dhe afër 7,000 punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët kanë kryer një punë të admirueshme në luftimin e pandemisë”, shtoi ministri Kasapoğlu.

Ministri po ashtu theksoi se librat dhe pajisjet sportive u shpërndahen atyre që janë në karantinë në konvikte për të parandaluar çdo efekt të mundshëm psikologjik.

Që nga e enjtja, Turqia ka regjistruar gjithsej 133,721 raste të koronavirusit, 82.984 prej të cilave janë shëruar plotësisht. Numri i të vdekurve është 3,641.