Turqi, mbi 11.000 të kthyer nga jashtë në karantinë

Më shumë se 11,000 persona që mbërritën në Turqi nga jashtë janë karantinuar në 36 konvikte nëpër 23 provinca, tha sot ministri i Rinisë dhe Sportit të këtij vendi, Mehmet Kasapoğlu.

Në një postim në Twitter, Kasapoğlu tha: “Konviktet tona, të cilat kanë qenë shtëpi për fëmijë të shkëlqyer të vendit tonë, tani mirëpresin mysafirët tanë nga jashtë”.

Duke dhënë detaje të mëtejshme, ai tha se Stambolli aktualisht mirëpret 1,955 persona, Ankaraja 3,058, Konya 2,180, Kocaeli 891 dhe Isparta 586.

Njerëzit e karantinuar do të monitorohen nga afër lidhur me simptomat e koronavirusit.

Turqia ka shtuar masat e saj për të frenuar pandeminë e koronavirusit duke ndaluar tubimet publike, mbylljen e shkollave dhe restoranteve dhe duke inkurajuar njerëzit të izolohen.

Deri më tani, 30 persona kanë humbur jetën nga virusi në Turqi, me 1.236 raste të konfirmuara.

Virusi, i cili u shfaq në Wuhan, Kinë, dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 167 vende dhe rajone në mbarë globin, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara tejkalon 341,000 dhe numri i vdekjeve është mbi 14.700, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.