Tregtarët ilegal pushtojnë trotuaret, Ganiu: Inspektorati i Tregut s’na ndihmon

Tregtarët ilegal që mbajnë dhe shesin mallin nëpër kuti dhe tezga në rrugët e qytetit për çdo ditë po shtohen. Institucionet përkatëse edhe pse janë të vetëdijshëm për këtë fenomen, topin e hedhin tek njëri-tjetra. Nga Komuna e Çairit, kryetari Visar Ganiu, thotë se nuk ka kompetenca të mjaftueshme për t’i larguar. Ai shton se pa prezencën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe pa prezencën e policisë, Inspektorati komunal nuk mund të konfiskoi mallin e tregtarëve ilegal.

– Advertisment –

Ka disa muaj, ndoshta edhe një vit që inspektorati i tregut nuk përgjigjet në thirrjet tona, e në atë moment kur ata nuk paraqiten në vend ngjarje, apo të jemi të koordinuar për të vepruar në terren, atëherë nuk kemi mundësi që ne ta grumbullojmë mallin ekzistues, pasi atë procesverbal ka të drejtë vetëm inspektorati i tregut ta bëjë. Atëherë e kemi të pamundur ta realizojmë atë si veprimtari – deklaroi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Ganiu shton se, nuk kanë as edhe pasqyrë të saktë për llojin dhe numrin e veprimtarive tregtare ilegale që funksionojnë në Komunën e Çairit. Për këtë arsye, kërkon që sa më shpejtë që është e mundur, Inspektorati Shtetëror i Tregut t’ua kalojë kompetencat inspektorëve lokal. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se mosveprimi i tyre, ndodh për shkak të numrit të ulët të inspektorëve që kanë.

Inspektorati i Tregut, zbaton diku mbi 40 ligje, ka kompetenca të shumta kështu që nuk mundemi gjithnjë t’u përgjigjemi kërkesave të komunave. Kjo për arsye sepse nuk kemi njerëz, nuk kemi inspektorë. Numri i inspektorëve në këtë moment nga inspektorati i tregut nga njësia rajonale në Shkup është diku më pak se 20 inspektor. Do të thotë brenda mundësive tona ne i zgjidhim kërkesat e komunave. Gjithnjë kemi kërkesa deri tek Qeveria për rritjen e inspektorëve – deklaroi Xhelal Maksuti, Inspektorati i Tregut.

Ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme nënvizojnë se ata janë të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave të Komunave dhe të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, që policia të jetë prezentë gjatë aksioneve për largimin e tregtarëve ilegal.