Thaçi takon Pompeon: Kosova do të vazhdojë të koordinohet me SHBA-në

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit të Kosovës në Washington.

Nga zyra e presidentit njoftojnë se temë e diskutimit ishte edhe dialogu mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa presidenti Thaçi me këtë rast ka vlerësuar se “marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë paqe për tërë Evropën Juglindore, do të thotë kthim kah e ardhmja, do të thotë zhvillim dhe prosperitet”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi në takim.

Në takim me sekretarin Pompeo, Thaçi ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për dekada me radhë.

“Na keni përkrahur në kohët më të vështira si dhe në ditët më të mira tona. Mirënjohja jonë është e përhershme”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Duke ecur bashkë me Washingtonin i kemi realizuar aspiratat tona”, theksoi Thaçi.

Më herët gjatë ditës, Thaçi është takuar edhe me Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, David Norquist. Më këtë rast, Thaçi është shprehur i kënaqur me mbështetjen amerikane për themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe kërkoi që të rritet bashkëpunimi edhe më shumë.

“Kosova e ka ushtrinë e vet, profesionale dhe me standarde të NATO-s, që është e gatshme të përfshihet në misionet humanitare e paqeruajtëse në botë, krah për krah me SHBA-në”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, në kumtesë thuhet se Zëvendëssekretari i Mbrojtjes, David Norquist, ka theksuar se është vitale për sigurinë në Evropën Juglindore që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s.