Thaçi: Reçaku nuk është event, por krim kundër njerëzimit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak tha se Serbia ka kryer rreth 400 masakra ndaj civilëve. Thaçi tha se e ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet e madje duke i etiketuar e fyer të vrarët. Ai tha se e ardhmja ndërtohet vetëm atëherë kur lidershipi i Serbisë kërkon falje për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës. Reagimi i Thaçit vjen pas qëndrimit të presidentit serb Vuçiç i cili e ka quajtur masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar. Ai ka akuzuar ish-shefin e misionit verifikues të OSBE-së, Walker, për falsifikim të saj. Masakra e Reçakut ka ndodhur më 15 janar 1999, ku u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe.

Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. Ka vrarë rreth 1300 fëmijë, e kanë dhunuar rreth 20 mijë gra. Në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj Reçaku shënon pikën kulmuese të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për fat të keq ende ata të cilët kanë kryer këtë krim kundër njerëzimit dhe gjenocidin nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë. Heshtja e ndërkombëtarëve dhe mos vizita e tyre sidomos këtu në Reçak që e theksoj se është pika kulmuese e masakrave nga shteti serb, e ka hapur gojën dhe e ka amnistuar edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosove – deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Alsat