Thaçi: Jam krenar me shumë gra të Kosovës

Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në këtë ditë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se duhet që bashkë të zotohemi për më shumë barazi dhe trajtim të drejtë të gruas në të gjitha fushat e jetës.

Ai tutje tha se është krenar me gratë që arritën suksese në fusha të ndryshme.

“Jam krenar me shumë gra të Kosovës, që janë zëri dhe fytyra më e mirë e popullit tonë në botë: në art, sport, shkencë e shumë fusha të tjera. Nderimi ndaj jush është i pafund. Urime 8 Marsi!”, shkroi Thaçi në “Facebook”.

Kjo ngjarje zë fill që nga 8 marsi i vitit 1857, kur rrobalarëset e New Yorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

Ndërsa, sot gratë kanë paralajmëruar se në Ditën Ndërkombëtare të Grave – 8 Mars, do të marshojnë, pasi vlerësojnë se nuk kanë asgjë për të festuar.

Ato do të kërkojnë drejtësi gjinore dhe shoqërore në Kosovë, duke rezistuar dhe duke e luftuar deri në ç’rrënjosje sistemin patriarkal, i cili thonë se i shtypë dhe i diskriminon çdo ditë./21Media