Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se përveç Gjykatës Kushtetuese, ai i ka drejtuar edhe një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes së cilës i ka kërkuar që të rishqyrtojë vendimin e tij.
Sipas Thaçit, këtë letër ia ka dërguar Kurtit pasi që tollovitë e qytetarëve që po krijohen nëpër vende të ndryshme, mundësojnë përhapjen e madhe të koronavirusit.
“Përpos kërkesës për masë të përkohshme që i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, i jam drejtuar me një letër edhe kryeministrit të Kosovës, zotëri Albin Kurtit, që të rishqyrtojë vendimin e tij sepse ka krijuar panik e tollovi te qytetarët me mundësi të madhe të përhapjes së koronavirus dhe i kam propozuar që ta pezullojë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është po i njëjti kryeministër i cili kundërshtoi gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa tash ka marrë këtë vendim që ka shkaktuar tollovi e panik te qytetarët”, deklaroi Thaçi.



