Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti thonë se objektivi i dialogut me Serbinë është njohja reciproke. Pas një takimi mes Thaçit dhe Hotit, dy krerët shtetërorë thanë se procesi i dialogut – që rifilloi më 16 korrik në Bruksel – nuk duhet të zbresë në nivel teknik.
Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, të ndodhë njohja reciproke, dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbresë në nivel teknik sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik. Niveli teknik nënkupton status quo dhe respektim i agjendës së Serbisë – deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hoti tha se beson që përmbyllja e këtij procesi – që nisi më 2011 – mund të ndodhë në muajt e ardhshëm, pasi siç u shpreh ai ka një “momentum të mirë” për këtë.
Unë mendoj që është një momentum shumë i mirë sepse kemi vëmendje të BE-së, të vendeve kyçe të BE-së, të Gjermanisë dhe Francës në veçanti, por edhe SHBA-së. Besoj shumë që në muajt e ardhshëm do ta përmbyllim këtë proces me sukses – u shpreh Avdulla Hoti, kryeministër i Kosovës.
Presidenti Thaçi tha gjithashtu se një marrëveshje finale me Serbinë, që do të përmbante njohje reciproke, nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 16 korrik, kryeministri Avdullah Hoti u takua në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky ishte takimi i parë, pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut. Delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, bisedimet i vijuan edhe një ditë më parë në Bruksel.
Alsat