Thaçi dërgoi kërkesën për seancë në Kuvendit e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës, për mbajtjen e një seance më 4 mars, në të cilën ai do të raportojë lidhur me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pranimin e një shkresë të tillë, e kanë konfirmuar për REL, zyrtarë nga kabineti i Kryetares se Kuvendit, Vjosa Osmani.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.

Thaçi dhe Vuçiq kanë qenë në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara, gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime, që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.