Tetova dhe Çairi: Beteja që do të përcaktojë fatin e partive shqiptare

Shkruan: Florian NESIMI

Zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë vendimtare për fatin e disa partive politike, por edhe për fatin politik të lidershipit të tyre. Te kampi politik maqedonas gjërat janë pak më të qarta. VMRO-ja do të fitojë bindshëm shumicën e komunave ndërsa LSDM e ka vetëm një qëllim: të merr të paktën ato vota që i mori në zgjedhjet e fundit parlamentare, vetëm për të treguar se nuk ka rënë më poshtë se aq.

Në kampin shqiptar, megjithatë, skena është më e paparashikueshme. Nëse në të kaluarën Tetova shihej si komuna vendimtare që përcaktonte fituesin dhe ku vlente parimi se ai që e fiton Tetovën i ka fituar edhe zgjedhjet, sot një rol të tillë gjithnjë e më shumë po e merr edhe Çairi. E në këtë kontekst, nëse VLEN-i arrin t’i fitojë të dyja këto komuna, atëherë ajo me plot të drejtë do të deklarojë se e ka legjitimitetin e plotë të shqiptarëve. Kandidimi i dy figurave kryesore të VLEN-it, Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit, dëshmon se ata kanë besimin e madh dhe presin fitore. Por nëse ndodh ql VLEN-i të humb në të dyja këto komuna, atëherë do të hapet çështja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Situata është më e ndërlikuar për koalicionin AKI. Raportet e brendshme brenda këtij koalicioni nuk janë duke lulëzuar. Ata i ngjajnë një konglomerati ku secili aktor politik lufton për interesat personale për pushtet. Në pozitë më të vështirë është BDI-ja. Pasi hoqi dorë nga komunat urbane siç janë Gostivari, Struga dhe Dibra, tani për të ka mbetur vetëm një opsion: të fitojë patjetër edhe Tetovën dhe Çairin. Por kjo sfidë duket pothuajse e paarritshme, duke pasur parasysh autoritetin personal që gëzojnë Kasami dhe Mexhiti. Për më tepër, këto do të jenë zgjedhjet e para që BDI-në e gjejnë në opozitë, pa privilegjet e pushtetit dhe pa mundësinë për të përdorur administratën, institucionet shtetërore apo punësimet parazgjedhore – mekanizma që për dy dekada ishin armët kryesore të saj. Kështu, nëse BDI  humb në Tetovë dhe Çair, ajo jo vetëm se do të mbetet pa asnjë komunë urbane, por do të përballet edhe me dorëheqjen e pashmangshme të figurave kryesore, gjë që do të çojë drejt shpërbërjes së brendshme të koalicionit AKI.

E nëse ndodh versioni tjetër që BDI dhe AKI të fitojnë edhe Tetovën edhe Çairin, atëherë ndaj kryeministrit Mickoski do të rritet presioni për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por kryeministri Mickoski nuk ka dhënë deri tani sinjale për një skenar të tillë. Përkundrazi ai ka deklaruar se pas zgjedhjeve lokale do të ketë rikonstruim të kabinetit qeveritar. Sikur VMRO-ja të planifikonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda vitit 2026, atëherë nuk do të kishte asnjë arsye për një rikonstruim të tillë. Por nuk i dihet, mbase me rikonstruim Mickoski mendon në kyçjen e ndonjë partie opozitare shqiptare në Qeverinë e tij.