U zhvillua sot mbledhja e tretë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe e fundit për këtë vit në Shqipëri.
I pranishëm në mbledhje është edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili tha në fjalën e tij se propozon në postin e Sekretarit të Komitetit të Rindërtimit Ilir Hoxhollin. Sipas kryeministrit, ky post është i rëndësishëm për faktin se kryetari i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, është emëruar edhe ministër për Rindërtimi.
Ahmetaj bëri të ditur sakaq që rindërtimi në qytete do të nisë në fund të marsit 2020.
“Brenda janarit duhet të kemi draftin përfundimtar që kur të jemi duke diskutuar dhe duke iu afruar datës së Konferencës së Donatorëve të kemi draftin final. Deri dje, janë rreth 65 milionë lekë. “-tha ai.
Kryeminstri Rama bëri me dije se, para takimit të Komitetit të Rindërtimit, në Kryeministri u zhvillua një diskutim mes arkitektëve shqiptarë mbi projektimin e tyre për tre lagjet që do të ndërtohen për strehimin e të prekurve, që janë planifikuar në Durrës, Tiranë dhe në Laç.
Kryeministri Edi Rama kërkoi që në aplikacionin aktual ku mund të shikohen në kohë reale, online procesi i mbledhjes së donacioneve, të shtohet edhe procesi i rindërtimit për cdo zonë ku qytetarët mund ta ndjekin hap pas hapi se cfarë po ndodh.
“Në mes të janarit të kenë filluar thirrjet për oferta dhe këtu duhet të koordinohemi. Pronarë apartamentesh kanë rritur qiranë, njerëzit janë të lirë të jenë edhe peshkaqenë, por nuk duhet të na ndodhë me procesin tjetër. Ndërkohë që kemi 2156 banesa të mjeruara që duhet të transformohen, ky do të jetë një proces që do të na cojnë një nivel tjetër për politikat e strehimit për familjet në nevojë që janë në streha jashtë cdo standardi” tha ai.
Në fund, kryeministri tha se, objektivi i qeverisë është që brenda vitit 2020 të gjitha ata që jetojnë në fshat dhe u është shembur banesa, duhet të kenë shtëpitë e reja, ndërsa bëri me dije se si objektiv tjetër është se, deri në fund të vitit 2021 të kenë filluar akomodimet e banorëve që sot janë me qira në zonat urbane.