Në momentin kur Kroacia përballet me Epideminë e Virusin Korona, mëngjesin e sotëm kryeqyteti kroat, Zagreb u zgjua nga tre dridhje të njëpasnjëshme të tërmeteve. I pari 5,5 ballë sipas shkallës së Rihterit, i dyti prej 5 ballë, dhe i treti me dridhje më të vogël. Dridhjet e fuqishme i dëshmojnë edhe rrugët e mbushura me shembjen e fasadave, tullave dhe materiale të tjera.
Nga tërmeti, jetën e humbi një vajzë 15 vjeçare, të cilën ekipet mjekësor e gjetën pa shenja jete, ndërsa vdekjen e saj e konstatuan në spital. Ndërsa edhe dëmet materiale janë tepër të mëdha.
Ministri i Brendshëm Davor Bozhinoviç u bëri thirrje banorëve të Zagrebit që kanë dalë në rrugë të rrinë larg nga njëri-tjetri si pasojë e pandemisë.
“Për virusin, tërmeti nuk ka rëndësi. Ai zgjerohet në logjikën e vet. Të gjithë ata që janë jashtë, Zagrebi tani është epiqendra, larg njëri-tjetrit. E di se është e nevojshme që të qëndrojmë të gjithë së bashku, por rrini larg njëri-tjetrit sepse po rrezikoni shëndetin tuaj dhe shëndetin e familjes tuaj”-tha Davor Bozhinoviç, Ministër i Brendshëm i Kroacisë.
Pas dridhjeve të para u aktivizuan të gjitha autoritetet për të siguruar banorët, ndërsa vëmendje kanë tërhequr edhe pamjet se si infermierët dhe mjekët, mbajnë në duar foshnjat e sapolindura.
Ekspertët në Kroaci thanë se vendi mund të përballet edhe me dridhje të tjera nga tërmetet andaj u rekomandojnë qytetarëve që të qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre, duke ruajtur distancën për tu mbrojtur nga Virusi Korona. Epiqendra e tërmetit më të fuqishëm është shënuar 16 kilometra nga qendra e Zagrebit, me thellësi prej 10 kilometra. Ky tërmet është më i fuqishmi i shënuar në Kroaci në 140 vitet e fundit.