Tensione në kufirin greko-turk mes emigrantëve dhe policisë

Përplasje dhe tensione mes policëve grekë dhe emigrantëve të cilët nga Turqia tentojnë të hyjnë në Greqi. Mediat raportojnë se emigrantët kanë gjuajtur edhe gaz lotsjellës ndaj policisë për të kaluar kufirin. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se qindra mijëra refugjatë janë nisur drejt kufijve të Evropës. Ndërsa deri në fund të javës numri do të arrijë deri në një milionë.

Që kur vendosëm të hapim portat, numri i emigrantëve që janë nisur për në Evropë janë qindra mijëra dhe së shpejti ky numër do të shkojë në miliona, Mbasi ne hapëm portat, kanë mbërritur dhjetëra telefonata nga BE-ja duke na thënë “mbyllni portat. U thashë atyre kjo punë mbaroi, mbaroi. Tani ju duhet të merrni edhe ju pjesën tuaj të barrës – deklaroi Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë.

Autoritetet turke kanë njoftuar se mbi 80 mijë emigrantë e kanë kaluar kufirin e Turqisë dhe kanë hyrë në Greqi dhe Bullgari. Ndërsa autoritetet greke thonë se do të vazhdojnë të ndalojnë kalimin e emigrantëve. Ndërkohë, siç njoftojnë mediat ndërkombëtare, një fëmijë sirian ka vdekur gjatë një tentimi për të zbritur nga një barkë në ishullin Lesbos të Greqisë. Barka ishte nisur nga Turqia dhe është përmbysur pranë ishullit në momentin kur forcat kufitare greke janë afruar për lokalizuar barkën. Ndërkohë, kryeministri grek, Kirijakos Micotakis, përmes Tuitterit ka njoftuar se të martën bashkë me krerët e BE-së do të vizitojnë kufirin greko-turk.

Kufijtë e Greqisë janë kufij të jashtëm të Evropës. Do t’i mbrojmë. Do ta vizitoj Evrosin, kufirin tokësor me Turqinë me Sharl Mishelin, kryetarin e Këshillit të Evropës. Edhe njëherë, mos tentoni të hyni ilegalisht në Greqi, do të ktheheni prapa – tha Kirijakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.

Pas njoftimeve turke për hapjen e portave për emigrantët, Greqia ka dërguar mijëra policë në zënat kufitare me Turqinë. Vendimi i Turqisë erdhi pas vrasjes së 33 ushtarëve turk në Idlib të Sirisë.