Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët: Ikja e të rinjve është gjenocid modern

Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët kanë mbajtur aksion dhe konferencë për gazetarë para objektit të Qeverisë së vendit.

Më poshtë deklarata e plotë!

Ne sot këtu, para qeverisë, jemi mbledhur për të thënë atë që shumë të rinj dhe prindër duan ta thonë dhe tregojnë. Është fjala për gjenocidin modern të quajtur “brain drain” që kjo qeveri dhe shumë qeveri para saj ua kanë kryer dhe po vazhdojnë tua kryejnë të rinjve në këtë shtet, duke i përzënë nga vendlindjet e tyre njerëzit të cilët me shumë mund u shkolluan dhe ëndëruan për të qëndruar në shtëpitë e tyre.

Ne sot, këtu para qeverisë po ekspozojmë diplomat dhe fotografitë e vëllezërve dhe motrave tona të cilët edhe përkundër shkollimit dhe sakrificës që bën për tu kualifikuar, u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre dhe u larguan për një jetë më të mirë në vendet e Europës Perendimore. Këta janë mjekët që kur sëmuremi nuk i gjejmë më nëpër spitale në sistemin tonë shëndetësorë të rrënuar, mësuesit që mungojnë nëpër shkollat e sistemit tonë arsimorë të gjunjëzuar dhe ndërmarrësit që nuk krijojnë vende pune në shtetin tonë- të tretin me papunësi të të rinjve në botë. Këto janë, me një fjalë, fatkeqësia jonë.

Ky dëm që po na bëhet ka çmim jashtëzakonisht të madh. Taksapaguesve të këtij shteti u kushton mbi 30 mijë (30.000)euro që një i ri të shkollohet. Pra, ne investojmë në shkollim ndërsa qeveritë tona largojnë mesatarisht mbi 1500 njerëz të kualifikuar për çdo vit pa asnjë kthim.

Perveç diplomave të atyre që kanë migruar, me ne kemi edhe diploma fakulteti e masteri të njerëzve që janë këtu dhe që janë të papunë. Siç duket, të gjithë neve si të rinj të shkolluar na pret vetëm një fat, e ai është largimi nga shtëpitë tona sikur të përndjekur nga ky system që po na mbyt.

Kjo qeveri në ikje, e respektivisht komponenti shqiptar në të, mban fajin për këtë fatkeqësi tonën kolektive. Ne kërkojmë llogari dhe bëjmë thirrje urgjente që të ngrihen alarmet e emergjencës për këtë që po na ndodh neve si të rinj.