Të paçim Albin!

Arbër Çeliku

Unë, si shtetas i Kosovës (ndonëse veprimtaria ime intelektuale dhe shoqërore shtrihet kryekëput në Maqedoni) i jap vetes të drejtën t’i drejtohem Albinit me ca këshilla dhe kërkesa, për më tepër, kur mbështetja ime ndaj politikave të tij ka qenë publike qysh në ditët e para, duke u përpjekur t’i bind dhe inkurajoj studentët e mi në Prizren dhe Prishtinë se Vetëvendosja duhet mbështetur me çdo kusht dhe se Albini është e vetmja shpresë e Kosovës. Mbase dhe shfaqja ime publike qysh nga viti 2010 ndikoi që unë të izolohesha në veprimtarinë time akademike në Universitetin e Prizrenit, ku pas 5 vjet e gjysmë pune dhe si profesor themelues i këtij Universiteti (të kapur fund e krye nga PDK-ja), u detyrova të tërhiqem vullnetarisht, sepse nuk mund ta shihja se si përpara syve të mi po degradohej për interesa partiake arsimi i lartë, me traditë të madhe në Prizren dhe rrethinë. Por, ndihem krenar, sepse kurrë në jetë nuk kam bërë kompromis me rrugaçërinë politike dhe as që do të bëj ndonjëherë. Ende ndiej keqardhje që u desh të ndahem nga studentët e mi të mrekullueshëm atje, por shumica e tyre më ndoqën pas në studimet master në Tetovë.
Dua të them se pohimi publik i së vërtetës kushton, por arsyetohet kur arrihet qëllimi. Dhe ja, erdhi koha që, pas një dekade, unë dhe mbarë shqiptaria progresive ta përjetojë ëndrrën e madhe për një shoqëri normale dhe të mirëqenë.
Albin, ti je heroi im, por edhe i gjithë shqiptarisë! Ti je shpresa jonë! Ti je amaneti i të parëve! Ti je thesari ynë më i çmuar! Këto epitete i ke merituar, por dhe duhet t’i ruash! Sidomos tash që duhet ta mbash mbi supe politikëbërjen sistemore.
Dhe, për t’i ruajtur ato, duhet të bësh shumë kujdes!
Përzgjidh njerëzit e duhur, profesionistët, meritorët, vetëmohuesit, ata, që kombin e vënë mbi interesin personal.
Bëji sytë katër nga nomenklaturat politike të dy dekadave të fundit, ata notojnë mbi para, pas vetes kanë një armatë të tërë vartësish dhe zullumqarësh. Ani se i munde në opozitë, ata do të të bëjnë çmos të të delegjitimojnë tani kur do ta kesh pushtetin, se nuk është njëjtë për ty kur do të duhet të formësosh politikat shtetërore. Është shumë vështirë ta riparosh diçka, që është punuar me dekada të shkatërrohet.
Shqiptarët e Maqedonisë janë keq Albin! Njësoj si ju deri më sot, në mos më keq! Kanë punuar shumë për Kosovën, më shumë se për veten e tyre. Na e zgjat dorën!
Të paçim, Albin!