Të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen, në veçanti në sektorin e ndërtimtarisë

Inspektorati i Punës gjatë vitit 2019, në territorin e Shkupit ka shqiptuar vetëm 6 ndalesa për mos respektim të të drejtave të punëtorëve në sektorin e ndërtimit. Ivan Peshevski nga Sindikata për Ndërtim, Industri dhe Projektim, thotë se institucionet nuk po bëjnë si duhet punën e tyre për parandalimin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Pavarësisht ndonjë ndalese që shqipton Inspektorati, thotë ai, punëtorët e ndërtimit janë nëpër skela edhe në ditët kur bie alarmi për ajër të ndotur, temperaturat të larta apo të ulëta. Ai shton se tashmë 6 vite tentojnë që të arrijnë marrëveshje me Qeverinë që punëtorëve të ndërtimit t’u mundësohet stazhi me benefite.

Në ato ndërtime për të cilat në alarmojmë, rrezikohen jo vetëm të drejtat e punëtorit, po edhe të drejtat e njeriut, për fat të keq në terren nuk del as Inspektorati për Punë. Unë jam i bindur se tani po të dalim për inspektim, në 90 % të rasteve do të konstatojmë shkelje të të drejtave të punëtorëve”-tha Ivan Peshevski, Sindikata për Ndërtim, Industri dhe Projektim.

Se nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për inspektimin e gjithë territorit të kryeqytetit e pranojnë edhe nga Inspektorati i Punës. Grozdanka Tileva nga ky sektor, thotë se kompanitë e ndërtimit më së shumti i frikësohen ndalesave për punë, se sa gjobave, sepse me zbatimin e masës së parë dëmi është më i madh.

Përpiqemi të japim maksimumin nga vetja dhe të mbulojmë terrenin. 7 Inspektor, një është i ri, 6 kemi qenë deri më tani. Në Gazi Babë ku janë të vendosur Inspektorët për Mbrojtje dhe Siguri në Punë ka tre vetura. Fillimisht tërheqim vërejtjen që të mënjanohen mangësitë. Nëse nuk respektohet vendimi atëherë jepet ndalesë për punë. Nëse në momentin kur bëhet inspektimi konstatohet se rrezikohet jeta e punëtorëve, ku bëjnë pjesë edhe ato të ndërtimit, jepet menjëherë ndalesë për punë, deri në mënjanimin e mangësive dhe parregullsive”-pohoi Grozdanka Tileva, Inspektorati Shtetëror i Punës.

Shkelje e të drejtave të punëtorëve vërehen edhe në sektorë të tjerë dhe jo vetëm në atë të ndërtimit. Sipas Raportit vjetor për fatkeqësi në vendin e punës, gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 124 incidente, nga të cilat 33 me pasoja fatale. Sipas këtij raporti në çdo 100 mijë të punësuar, jetën e humbin 4 deri 5 prej tyre, ndërsa deri 17 të tillë lëndohen. Numri më i madh i fatkeqësive janë regjistruar në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me vitin 2017 shënohet rritje e rasteve të tilla. Gjatë vitit 2018 Shkupi është qyteti me numrin më të madh të fatkeqësive në vendin e punës, më pas vjen Gostivari dhe pas tij Shtipi.