Kështu ka thënë për lajmi.net, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, Ramadani ka thënë se janë kontaktuar të gjithë personat që kanë hyrë nga Italia si dhe janë kontrolluar në aeroportin e Prishtinës.
“Po. Në aeroport janë kontrolluar-matur: temperatura dhe shenjat klinike për Covid-19 sipas protokolleve të OBSH-së. Të gjithë kanë rezultuar negativ”, ka thënë Ramadani
Ai po ashtu ka thënë se këtyre personave u janë dhënë udhëzime që të evitojnë kontaktet e afërta me persona të tjerë si dhe të kontrollojnë gjendjen shëndetësore pas 14 ditëve.
“Të gjithëve u janë dhënë udhëzimet me shkrim (lifleta) në të cilën shkruan: Evitoni të gjitha kontaktet e afërta me persona tjerë dhe kontrolloni gjendjen tuaj shëndetësore 14 ditë pas kthimit nga udhëtimi. U janë dhënë po ashtu kontaktet për informata shtesë”, ka thënë Ramadani.
Sipas, Ramadanit, të kthyerit nga Italia po ashtu janë kontaktuar në vazhdimësi nga profesionistët shëndetësor në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore.
“Ndërkohë nëpërmjet kontakteve që ata kanë dhënë me rastin e zbarkimit në aeroport ata janë kontaktuar më tutje nga profesionistët shëndetësor në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore”, deklaroi në fund Ramadani.
Ndërkohë, në Kosovë tashmë ka shkuar në 13 numri i të prekurve nga Covid-19. Shtatë prej tyre janë nga Komuna e Vitisë, katër nga Malisheva dhe një nga komuna e Podujevës dhe gjithashtu nga Klina një i infektuar.
Rastet e para të prekura nga koronavirusi u shënuan të premten më 13 mars 2020, ku dy pacientë që kishin ardhur nga Italia, pas analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dolën pozitiv.