Takohen Hoti e Weidinger, zotohen për intensifikim të bashkëpunimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti,  ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Hoti fillimisht falënderoi Weidinger për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

Duke e vlerësuar veçanërisht të rëndësishëm partneritetin dhe miqësinë e Kosovës me Austrinë, Kryeministri e njoftoi ambasadorin për zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks të posaçëm në përkushtimin e Qeverisë për menaxhimin e pandemisë COVID-19, por edhe masat që po ndërmerren për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, agjendën e reformave evropiane, procesin e dialogut me Serbinë etj.

Ndërkaq, ambasadori Weidinger e falënderoi Kryeministrin Hoti për pritjen dhe shprehu zotimin e Austrisë për fuqizimin e partneritetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.