Syla: Të dërgojmë mesazh se bashkëluftëtarët tanë s’janë vetëm

Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla përmes një konference për media tha se janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për protestën e 7 gushtit.

Ai u shpreh se duhet dërguar mesazhi se siç tha ai, bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm.

“Janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet. Është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila do të përkujdeset për mbarëvajtjen e protestës, është angazhuar edhe ambulanca. Kemi diskutuar edhe me qytetarët është edhe mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë, me autobus, pjesa logjistike janë përfunduar të gjitha, do të thotë ka mbetur vetëm nesër të fillojë protesta”.

“Në fillimisht ju njoftojmë se olësit e kësaj proteste do të jenë Neveka Tromp, pastaj do të jetë organizatori Hysni Gucati, do të jetë edhe një bashkëluftëtar i joni, Ali Ahmeti dhe një djalë dëshmori”

“Me dërgu një mesazh edhe tek ta, por edhe tek bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë atje nuk janë vetëm dhe ne do të jemi gati t’u dalim në mbështetje saherë që është nevoja”, u shpreh ai.

Syla gjithashtu nuk e ka hedhur poshtë edhe mundësinë për protesta të tjera.

“Ne do të vlerësojmë dhe do të vendosim se a do të kemi edhe protesta të tjera, por sigurisht se do të kemi, do të jemi në mbështetje të bashkëluftëtarëve tanë deri në ditën e gjykimit, por edhe pas tij”.

“Jemi duke pritur nëse do të ketë reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, u shpreh tutje Syla.