Sulmuesi i Realit ‘ik’ nga karantina për bukuroshen e tij, vërshohet nga kritikat

Luka Jovic është në qendër të vëmendjes.

Sulmuesi i Real Madridit ka lënë karantinën për të udhëtuar në Serbi, për të festuar ditëlindjen e së dashurës, Sofija Milo.

Ky veprim i 22-vjecarit, është cilësuar si i pamatur pasi ai dhe gjithë lojtarët tjerë të Madridit janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllur për të paktën 14 ditë, pasi një prej basketbollistëve të Madridit doli pozitiv me COVID-19.

Ashpër ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, e cila thjeshtë s’mund të besojë se si ata që marrin miliona dhe kanë kushtet më të mira për t’u vet-izoluar, dërgojnë mesazh negativ që mund të shkaktojë probleme për shkak të përhapjes në vazhdimësi të koronavirusit.

“Futbollistët tanë po japin shembull negativ, të cilët refuzojnë të karantinohen, pra ata që fitojnë miliona”, tha ajo.

Ndër të tjera ajo tha se ndaj këtyre me këso veprimi, do të ketë masa ndëshkuese.

Koronavirusi ka infektuar mbi 225 mijë persona në gjithë botën, sëmundje prej të cilës deri më tani kanë vdekur mbi 9 mijë persona. /Gazeta Express/