Studenti shqiptar nga fshati i zhdukur i Shkupit, ndër studentët më të dalluar të mjekësisë

Dobrina ishte një fshat i Karshiakës, i izoluar në brendinë e Komunës së Zelenikovës, në rrethinën e Shkupit. Deri nga fundi i dekadës së kaluar, fshati ishte i banuar me vetëm dy shtëpi me familje shqiptare, të cilat nën injorimin e tërësishëm të strukturave shtetërore e partiake, ishin të detyruara të zhvendosen në afërsi të qytetit, Më saktësisht, familja e fundit, ajo e Sabedin Rustemit, u zhvendos në fshatin Moranë të Shkupit.

Kushtet e rënda e të mjerueshme në shkollën e atëhershme fillore në fshatin Dobrinë, nuk ishin ndonjë pengesë e madhe për të birin e Sabedinit, Jasin Rustemin, i cili në borë e në shi, me këmbëngulje të pashoq, dëshironte ta shuajë etjen e tij për të mësuar e për të depërtuar në binarët e një jete pak sa më dinjitoze.

Dhe, këmbëngulësia e tij prej një vogëlushi të njomë e të lënë nën mëshirën e jetës së rëndë në fshatin tashmë të zhdukur nga harta e botës, Dobrinë, u shpagua. Jasini tani është duke i ndjekur me sukses studimet në Fakultetin shtetëror të Mjekësisë në Shkup, në vitin e dytë akademik, ndërsa vitin e parë e kreu me notën mesatare 9,1, informon Shtegu.com. Një sukses vërtetë I mahnitshëm, duke pasur parasysh se në shkolën fillore të fshatit, mësimet i kishte ndjekur me paralele të kombinuara, një system i cili nuk garanton shumë sukses për studime të mëtutjeshme. Përpos kësaj, Jasini është edhe delegat i po të njjëjtit fakultet, të zgjedhur nga të gjithë studentët e tij, ndërsa me vota anonime u zgjodh edhe delagat në këshillin e fakultetit.

Vullneti i tij i çeliktë, nuk e lejon që të ndryshojë itinerarin e tij për të përfunduar shkollimin. Të shpresojmë se Jasini do të jetë shembull i gjeneratev më të reja, si një luftëtar i paepur për të nxënë sa më shumë dituri.