Strugë, 5 objekte hotelierike nuk i kanë respektuar masat për mbrojtje nga Co vid

Pesë prej tetë objekteve të kontrolluara hotelierike në Strugë nuk i kanë respektuar dispozitat për distancë të obligueshme midis tavolinave dhe praninë deri në katër persona në një tavolinë, kanë përcaktuar gjatë kontrollit të djeshëm inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe nëpunësit policorë.

SPB Ohër sot kumtoi se në një objekt hotelierik është prishur rendi dhe qetësia publike nga katër persona.

“Në një objekt hotelierik, personat A.V. (21), A.V. (25) dhe G.V. (25) nga fshati Veleshtë e Strugës dhe T.S. (28) nga fshati Tatesh i Poshtëm, e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike. Ata janë thirrur në Stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, kundër tyre si edhe kundër përgjegjësve në objektet hotelierike, DPB Strugë do të shtrojë padi përkatëse”, deklaroi zëdhënësi Stefan Dimoski.

Dimoski theksoi se policia do të vazhdojë me aktivitetet e veta me qëllim të zbatimit konsekuent të masave për mbrojtje dhe parandalim nga përhapja e koronavirusit dhe respektimin e protokolleve të sigurisë në objekte hotelierike.