Stabiliteti ndërmjet shteteve në rajonin tonë nuk mjafton të dëshirohet, veç asaj, duhet ditur edhe si të realizohet

Hysamedin Feraj

1. Stabilitetin nuk e siguron bashkimi ekonomik, aq më pak i reduktuar në tregëti:
Për gati një shekull ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk ka pasur as dogana, as barriera të tjera ekonomike. Gati 100 vite të jetës së përbashkët ekonomike rezultuan në luftën e armatosur ndërmjet Kosovës (shqiptarëve) e Serbisë (serbëve). Jeta e përbashkët ekonomike, pa dogana ose barriera të tjera, rezultoi në luftën ndërmjet serbëve e sllovenëve, serbëve e kroatëve, serbëve e boshnjakëve. Mbas gati një shekulli të jetës së përbashkët ekonomike me popujt e tjerë, malazeztë dhe maqedonasit vendosën të ndahen prej tyre e të krijojnë secili shtetin e vet.
Mbas gati një shekulli të jetës së përbashkët ekonomike me rusët, pa dogana ose barriera të tjera, popujt e përfshirë në BRSS vendosen të ndahen nga njëri-tjetri në rastin e parë që iu dha mundësia.
Mbas gati një shekulli jete të përbashkët ekonomike, pa dogana as barriera të tjera ekonomike, çekët e sllovakët vendosen të ndahen secili në shtetin e vet.

2. Stabilitetin nuk e siguron qarkullimi i lirë i ideve, as arti, as socializmi i përbashkët:
Për gati një shekull mes gjithë popujve të RSFJ kanë qarkulluar lirshëm dhe të njëjtat ide. Të gjithë popujt në MSKS dhe më vonë në RSFJ kanë mësuar në shkollë e në media për heronjtë e përbashkët, për armiqtë e përbashkët, kanë mësuar të njëjtat poezi, kanë shikuar të njëjtët filma, kanë dëgjuar të njëjtën muzikë, të njëjtat lajme, kanë festuar të njëtat festa të përbashkëta. Në fund, i kanë kthyer pushkët e tanket kundër njëri-tjetrit.
Për gati një shekull mes gjithë popujve të BRSS e të Çekosllovakisë kanë qarkulluar lirshëm dhe të njëjtat ide. Për gati një shekull popujt në BRSS dhe ata në Çekosllovakis kanë mësuar në shkollë për heronjtë e përbashkët, kanë mësuar të njëjtat poezi, kanë shikuar të njëjtët filma, kanë dëgjuar të njëjtën muzikë, kanë dëgjuar të njëjtat lajme, kanë festuar të njëtat festa të përbashkëta. Në fund, u ndanë me gëzim nga njëri-tjetri, dhe s’duket që ndonjëri po dëshiron të kthehet në atë “parajsë” idilike kulturore.
Filmat idilikë për dashurinë e një serbi dhe boshnjakeje, për ndihmën nga një prift ortodoks maqedonas dhënë një shqiptareje, etj., nuk janë art më i fuqishëm sesa realiteti tragjik i asaj dashurie dhe martesave të përziera. Numri më i madh i dashurive dhe martesave etnikisht të përziera ka qenë në Republikën Socialiste të Bosnje-Hercegovinës. Aty nga serbët u kryen krimet më antinjerëzor. Aty fëmijët e lindur nga martesat e përziera u gjenden në situatën më tragjike: të luftojnë kundër dajës apo kundër xhaxhait. Të fshihen nga daja apo nga xhaxhai. Të jenë në krah të dajës, apo të xhaxhait. Apo të shpallin një luftë po aq tragjike të tyre kundër të dyve.

3. Stabilitetin nuk e siguron qarkullimi i lirë i njerëzve:
Për gati një shekull popujt në BRSS, në Çekosllovaki, në MSKS dhe më vonë në RSFJ, kanë udhëtuar te njëri tjetri pa viza, pa kontroll kufitar, pa pengesa të tjera burokratike. Në fund, të gjithë vendosën të ndahen nga njëri tjetri, të vënë kufi e kontrolle kufitar. Në RSFJ shkuan në luftë të tmerrshme derisa i vendosën kufijtë, vizat, e kontrollin kufitar.

4. Stabilitetin nuk e siguron qarkullimi i lirë i kapitalit:
Për gati një shekull në BRSS, në Çekosllovaki, në MKS dhe më vonë në RSFJ, kapitali ka çarkualluar lirshëm ndërmjet republikave, popujve dhe individëve. Në fund vendosën të ndahen, të vendosin pengesa, dhe të jetojnë më mirë pranë njëri tjetrit mbi respektin reciprok të sovranitetit të secilit. Në RSFJ lëvizja e lirë e kapitalit rezultoi në luftë, gjak dhe etnocid.
Prandaj çdo përpjekje për sigurimin e paqes në këtë rajon nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, ideve, mallrave e kapitaleve është rikthim te gjendja që ka prodhuar luftëra, gjenocid, e spastim etnik.
Tregëtia e lirë, qarkullimi i lirë i mallrave dhe kapitaleve, si i tillë, nuk prodhon stabilitet. Përveç kur themelohet mbi dhunë e mbahet me dhunë totalitare ose diktatoriale. Ky ka qenë rast në MSKS, RSFJ, BRSS, Çekosllovaki, etj. Sapo ra dhuna që e mbante, ra edhe ai. Na treguan se stabiliteti i themeluar dhe mbajtur saje dhunës çon veçse në dhunë që merr trajtat e holokaustit, të gjenocidit, të kampeve të përqëndrimit, etj.

5. Stabilitetin në rajon e siguron politika e moralshme, e parimeve të stabilizuar: drejtësia, barazia, reciprociteti, etj., ndërmjet shteteve dhe popujve
Shembulli gjermano-francez, krijimi i Tregut të Përbashkët Europian deri te BE sot, u arrit vetëm mbasi u mposht politika naziste e fashiste, mbasi u emrëtuan qartë fjatorët e saj dhe iu nënshtruan dënimit gjyqësor, mbasi u pranua faji nga Gjermania, mbasi kërkoi falje, pagoi dëme lufte, etj. Vështirë të imagjonhet një botë e mundshme, ku bashkëpunimi ndërmjet Francës e Gjermanisë do të ishte si ky i sotmi, nëse Gjermania do të vazhdonte ta mbante në kushtetutë Francën si pjesë të shtetit gjerman, të kërkonte ndarje të Francës që “mos të dalë e humbur nga lufta kundër saj”. Vështirë të kishte shembull gjermano-francez nëse Gjermania do të sillej ndaj Francës si Serbia aktuale ndaj Kosovës.
Shembulli franko-gjerman na tregon se “4 qarkulllimet e lirë” prodhojnë stabilitet vetëm kur janë të themeluar mbi vullnetin e lirë të popujve që njohin sovranitetin e njëri tjetrit, mbi bazën e drejtësisë dhe të dinjitetit të barabartë moral. Krejt rastet e tjerë na dëshmojnë bindshëm se “4 qarkullimet e lirë” çojnë në dhunë e në luftë mes popujve kur janë themeluar mbi hegjemoninë e njërit ndaj tjetrit. Të gjithë rastet sw bashku na tregojnë se marrëdhëniet ekonomike, dhe të tjerat, mes popujve e shteteve, prodhojnë paqe e stabilitet kur më parë janëë zgjidhë problemet politik. Jo e kundërta.

6. Stabilitetin e siguron zgjidhja e konfliktit burimor:
Për stabilitetin në rajon duhet ditur burimi i konfliktit. Burimi i konflikteve në rajonin tonë ka qenë dhe është kombëtar. Prandaj mund të zgjidhet vetëm sipas parimit kombëtar. Kombet duan shtetin e tyre sovran. Sigurimi i pranimit reciprok të shtetësisë sovrane nga secili të secilit, ndërtimi i marrëdhënieve mbi bazën e barzisë e të reciprocitetit të ndërsjellë është i vetmi kusht që siguron stabilitetin. Përndryshe, si në shtete të ndarë, si brenda një shteti të vetëm, konfliktet ndërmjet popujve në Europën Juglindore do të vazhdojnë të acarohen e të shpërthejnë dhunshëm.

7. Hegjemonizmi serb i konflikton serbët me të tjerët:
Serbët e shqiptarët nuk kanë nevojë të pajtohen në çka nuk i ndan. Të gjithë popujt në Europën Juglindore pajtohen për anëtarësimin në BE, demokracinë, kapitalizmin, pronën private, luftën kundër korrupsionit, etj. Konflikti dhe luftërat ndërmjet popujve të RSFJ nuk u ndërtua në kundërtinë e qëndrimit të qytetarëve për këto çështje. As nuk u barrikaduan në dy kampe qytetarësh, disa pro e disa kundër lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve, ideve dhe mallrave. Pajtoheshin për të gjitha këto çështje. Por u konfliktuan sepse secili vullnetonte t’i realizojë vetë si popull, komb dhe shtet sovran.

8. Rikthimi neolibral te konflikti:
Rikthim i popujve në gjendjen që ishin në RSFJ, në Çekosllovaki, në BRSS, pavarësisht nëse bëhet në emër të cocializmit apo të neoliberalizmit do të prodhoj të njëjtin rezultat: konflikt deri në luftë të armatosur. Sepse konflikti nuk ka qenë për llojin e sistemeve ekonomik, për qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve, kapitaleve e mallrave. As për demokracinë, kapitalizmin, socializmin, NATO-n, luftën kundër korrupsionit, etj.