Spasovski: Zgjedhjet duhet të jenë në harmonizim me Kushtetutën dhe ligjet që të kemi proces legjitim dhe të ligjshëm zgjedhor

Zgjedhjet duhet të zbatohen ashtu siç është shënuar në Kushtetutë dhe ligje dhe kjo është shumë me rëndësi që të kemi proces legjitim dhe të ligjshëm zgjedhor, ka shënuar në profilin e tij në Fejsbuk kryeministri Oliver Spasovski.
“Nëse procesi zgjedhor përfundon ashtu siç është paraparë në Kushtetutë dhe ai është 60 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, atëherë duhet t’i respektojmë ato dispozita dhe në bazë të kësaj zgjedhjet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendje së jashtëzakonshme. Realizimi i interesave të shtetit duhet të jetë në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit”, ka shënuar Spasovski.
Në emisionin e sotëm “Utrinski vesnik” në Slobodna TV, kryeministri Spasovski theksoi se sipas Dekretit qeveritar, Kushtetutës dhe ligjet, dita e zgjedhjeve është më 5 korrik.
“Liderët kanë kohë të bisedojnë për procesin zgjedhor dhe thash se deri në atë moment kur liderët politikë nuk mund ta bëjnë këtë, institucionet e sistemit duhet ta marrin përgjegjësinë. E papërgjegjshme është në kohë të krizës shëndetësore dhe ekonomike shteti të lihet me institucione jofunksionale dhe pa Kuvend për kontroll të pushtetit ekzekutiv”, tha Spasovski.
Ai theksoi edhe se udhëheqësia e LSDM-së dje ka pasur takim, i cili do të vazhdojë edhe sot dhe gjatë ditës duhet të dalë me qëndrim për proces zgjedhor pasi dje lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se për ta termini i parë i pranueshëm është mesi i korrikut.
Në rast se VMRO-DPMNE-ja vendos për bojkot të zgjedhjeve, atëherë funksionarët e saj, sipas kryeministrit teknik, duhet të tërhiqen nga Qeveria për arsye morale.
Njëherit, Spasovski potencoi edhe se ndalojnë të gjitha dekretet qeveritare për të cilat është paraparë se zgjasin deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa të gjithë ata të cilët kanë vlefshmëri edhe pas gjendjes së jashtëzakonshme, do të mbesin në fuqi./MIA