Spasovski: Kemi marrë të gjitha masat për parandalimin e Koronavirusit

Kryeministri i vendit, Oliver Spasovski, në një intervistë për emisionin “360 gradë” në Alsat tha se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e Koronavirusit. Ai tha se lëvizja e njerëzve është kufizuar shumë nëpër dogana dhe po ashtu janë marrë masat për të ndaluar hyrjen e personave nga shtetet me rrezik të lartë për në vendin tonë.

I kemi marrë të gjitha masat. Them që institucionet tona, MPB, Drejtoria e Doganave iu përmbahen dhe kjo zbatohet në kalimet kufitare. Nga pala greke kanë masat e tyre lidhur me lëvizjen e personave. Kështu që, kjo lëvizje e njerëzve është zvogëluar këtë periudhë. Dje morëm vendim ku ndalojmë hyrjen e personave nga shtetet me rrezik të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kështu që, të gjitha institucionet janë të gatshme, kemi mekanizma kontrollues për këtë se në çfarë mënyre zbatohen këto masa- tha Spasovski për 360 gradë.