Spanja shënon rënie të numrit të viktimave nga koronavirusi

Spanja të dielën ka raportuar për numrin më të ulët të viktimave nga koronavirusi në dy muaj, teksa shteti ka nisur të lehtësojë masat e izolimit.

Ministria e Shëndetësisë së Spanjës tha se 143 persona kanë vdekur në 24-orët e fundit, duke e çuar në total numrin e viktimave në 26,621.

Kjo është shifra më e ulët e vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë që prej 18 marsit, dy ditë pasi ky shtet kishte hyrë në karantinë.

Numri më i lartë i të vdekurve ndodhi më 2 prill, kur u shënuan 950 viktima.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha të shtunën se në pjesën më të madhe të vendit, ku jetojnë 51 për qind e popullatës, do të nisë “faza e parë”, e daljes nga izolimi.

Spanja ka një plan të daljes nga izolimi prej katër fazash. Sipas Sanchez, faza e parë do të nisë të hënën.

Restorantet dhe baret do të lejohen që t’u shërbejnë klientëve jashtë lokaleve dhe dyqanet që shesin artikuj jo-esencialë po ashtu do të hapen. Tubimet private prej dhjetë apo më pak personave, po ashtu do të lejohen.

Sipas autoriteteve spanjolle, qyteti i Madridit dhe Barcelonës aktualisht nuk plotësojnë kriteret për të nisur fazën e parë të daljes nga izolimi, andaj ata parashikojnë që do të duhet të kalojë edhe një javë tjetër, para se në këto qytete të nisë zbatimi i fazës së parë të daljes nga izolimi.