Sotirova Buhova për Dimitrievskin: Nuk mund të ndërpritet mjekimi shtëpiak, duhet të kalojnë 14 ditë

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski dje kërkoi që t’i ndërpritet mjekimi shtëpiak për shkak se testimi për virusin Covid-19 në laborator privat kishte rezultuar negativ, ndryshe nga ai i një jave më parë që u realizua në institucion publik dhe rezultoi pozitiv.

Por kjo kërkesë siç u mësua nga shefja e Inspektoratit sanitar dhe shëndetësor, Irinka Sotirova Buhova nuk do të pranohet dhe Dimitrievski do të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi.

“Nuk mund të ndërpritet procedura derisa nuk përfundon vendimi. Do të thotë, personi që ka marrë vendim për mjekim shtëpiak, qëndron në mjekim shtëpiak derisa t’i kalojë afati 14-ditor, gjegjësisht atëherë do të fillojë procesi i testimit dhe verifikimit të rezultatit negativ apo pozitiv”, tha Sotirova Buhova.

Ngjashëm si Dimitrievski, se testi në laborator privat por të besueshëm i ka dalë negativ ka deklaruar edhe një pjesëtar i Shtabit të krizës në Kumanovë, Goran Stojanovski i cili poashtu kishte qenë pozitiv para një jave.