Sot koalicioni “Tash është koha” organizon marshin për demokraci

Marshi për demokraci, të cilin do ta mbajnë sot koalicioni “Tash është koha”, do të fillojë nga parku i Çairit në ora 19, ndërsa do të marshojnë drejt qendrës tregtare Mavrovasja, për të vazhduar para objektit të Qeverisë. Prej aty në ora 20:00 marshuesit do të shkojnë para zyrave të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ku do të përcjellin edhe mesazhet për procesin zgjedhor dhe demokracinë në vend.

Nurxhan Asanovska

“Me këtë rast, para së gjithash, dëshiroj t’ju informoj se Marshi për Demokraci më shumë se protestë është një shprehje publike e vullnetit të qytetarit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili pas zgjedhjeve të fundit konsideron se seriozisht është dëmtuar demokracia dhe mënyra e shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarit shqiptar. Si shenjë e shprehjes së revoltës për suprimimin e të drejtës më sublime të votës së lirë, ky marsh pikërisht para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup do të japë mesazhet se një vend që po i fillon negociatat për qenë anëtar i BE-së nuk guxon të lejojë që një pjesë e qytetarëve të tij të privohen nga e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, që është e drejta elementare njerëzore dhe politike në BE”

Për realizimin e këtij marshi është njoftuar edhe policia, ndërsa organizatorët kanë siguruar edhe kujdestarë të tyre për mbarëvajtjen e marshit. Nga koalicioni Aleanca-Alternativa bënë thirje që pjesëmarrësit të mbajnë edhe maskat dhe distancën për të evituar çdo rrezik infektimi nga korona virusi.

Nurxhan Asanovska

“Simbolet e këtij marshi do të jenë simbolet kombëtare dhe të aleateve tanë perëndimorë, ndërsa sloganet do të jenë të lidhura vetëm me mbrojtjen e demokracisë, ashtu që çdo simbol tjetër dhe çdo thirrje tjetër që shpreh fobi, urrejtje ose fyerje ndaj kujtdo qoftë është kundër synimeve të këtij marshi. Po ashtu, për të evituar çfarëdo mundësie për infektim, organizatorët janë kujdesur edhe për numrin e pjesëmarrësve. Në të vërtetë, për koalicionin asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti. Prandaj, maskat mbrojtëse dhe ruajtja e distancës dhe e kujdesit për shëndetin e pjesëmarrësve janë detyrime të patjetërsueshme të një aksioni të suksesshëm qytetar”

Marshi për demokraci vjen pas dyshimeve të ngritura nga koalicioni “Tash është koha” për procesin e votimit në disa vendbanime ku akuzuan BDI-në për manipulime zgjedhore. Nga ky koalicion dyshojnë kryesisht për rregullshmërinë e votimit në Kërçovë, Pllasnicë dhe Dollnen. Ata dërguan ankesa edhe në KSHZ por të njëjtat u refuzuan më pas edhe nga Gjykata administrative.