Sllovenia nuk do të nxitojë me lehtësimin e kufizimeve për qytetarët

Megjithëse u paralajmërua se do të merrej një vendim tashmë në 4 maj për të rihapur disa biznese më të vogla dhe të hiqen disa kufizime në lëvizjen e qytetarëve, qeveria sllovene vendosi të presë edhe pak me lehtësimin e masave.

Kjo do të thotë që në fillim të muajit të ardhshëm nuk do të hapen sallonet aq të pritura për parukeri dhe sallonet e kozmetikës, ndërsa mbetet edhe ndalesa për qytetarët që largohen nga komuna ku ata jetojnë.

Një nga arsyet për këtë vendim, sipas qeverisë, është se është e nevojshme që së pari të merren dhe të analizohen rezultatet e një studimi të madh mbi përhapjen e vërtetë të koronavirusit në Slloveni i cili parashikon testimin “e verbër” të 3,000 qytetarëve në të gjitha komunat në të gjithë vendin.

Sipas zëdhënësit të qeverisë Jelko Kacin, në këtë periudhë testimi është duke u realizuar tek më të rinjtë, ndërsa kjo duhet të japë një pamje realiste të përhapjes së virusit në këtë kategori qytetarësh.

“Disa vende kanë njoftuar se do t’i lehtësojnë kufizimet për qytetarët, por tani shohim që ai optimizëm është qetësuar disi. Ne do ta respektojmë mendimin e tyre dhe do ta marrim parasysh kur të vendosim se cilat kufizime do t’i lehtësojmë”, deklaroi Kacin.

Përndryshe, javën e kaluar në Slloveni përsëri janë hapur disa objekte sportive, pajisje për shërbimin e biçikletave dhe automjeteve, autolarje, stacione për kontrollim teknik dhe shërbime të ndryshme./MIA