Sllovaki, një deputet dënohet me burg për qëndrime neonaziste

Një gjykatë sllovake dënoi deputetin Marian Kotleba, liderin e Partisë Popullore të ekstremit të djathtë (LSNS), me katër vjet e katër muaj burg.
– Advertisment –

Gjykata speciale për krimin e organizuar në Pezinok afër Bratislavës e ka shpallur Kotleba fajtor për mbështetjen e një ideologjie që rrezikon të drejtat civile dhe demokracinë.

Vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi Kotleba e ka apeluar atë.

Vendimi i së hënës shënon herën e parë që një gjykatë dënon një anëtar të parlamentit me burg.

Ndër të tjera, Kotleba thuhet se ka shpërndarë çeqe për shumën simbolike prej 1 488 euro (1 756 dollarë) për familjet në nevojë, në mars 2017.

Kombinimi i numrave 1 488 është një nga kodet popullore që neonazistët përdornin për të deklaruar veten me numrin 88 që përfaqësojnë përshëndetjen “Heil Hitler” (germa H është e teta në alfabetin gjerman – shën. i përkth.), ndërsa numri 14 i referohet një slogani racist të njohur si “14 fjalë” për “mbrojtjen e racës së bardhë”.

Kotleba, 43 vjeç, është i njohur për qëndrimet e tij kundër pakicës rome.

Ai është marrë në paraburgim në polici në disa raste dhe është akuzuar për nxitje të trazirave racore dhe rrezikimin e demokracisë.