Siljanovska akuzon Kuvendin për ndërrtimin e stenogrameve, Kuvendi e demanton

Profesoresha universitare Gordana Siljanovska Davkova, e cila mori pjesë në cilësinë e ekspertes në shqyrtimin publik të Ligjit për Prokurorinë Publike, ka akuzuar Kuvendin se e kanë censuruar fjalimin e saj gjatë përpilimit të stenogrameve. Përmes një postimi në Facebook ajo ka akuzuar se shërbimet e Kuvendit e kanë fshirë fjalën “Zhvatje” nga fjalimi i saj para deputetëve dhe kolegëve të tjerë të mbajtur në komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.

Gordana Siljanovska Davkova
“Në mes të Kuvendit si ‘shkollë e demokracisë’ censurojnë fjalime ekspertësh. Kanë fshirë nga stenogrami i fjalimit të Prof.Siljanovska Davkova fjalën ‘Zhvatje’. Shihni të dhënat e stenogramit nga debati publik me temë ‘Prokuroria Publike si organ efikas në luftën kundër korrupsionit’ të datës 28 Janar 2020. Në fjalimin tim në vend të fjalës ‘Zhvatje’ ka një vizë të gjatë, si simbol për ‘zhvatje që po vazhdon’?!”
Nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, përmes një komunikate me shkrim kanë demantuar pohimet e Profesoreshës Gordana Siljanovska duke i quajtur ato si të pabaza dhe tendencioze. Nga kabineti i Talat Xhaferit kanë thënë se askush në Kuvend as që ka intervenuar, e as që do të guxojë të intervenojë në stenogramet e diskutimeve në seanca plenare ose në debate publike.

Kuvendi
“Konform praktikës së deritashme, stenogramet e debateve publike bëhen nga audio-materialet dhe në atë pjesë kur fjalët janë të pakuptueshme ose për shkak të zhurmës nuk mund të dëgjohen mirë, vendoset një linjë e zbrazët. Nuk është korrekte që të nxirren konkluzione të gabuara dhe të akuzohet në opinion për intervenime të qëllimshme në stenogramet, pa bërë përpjekje të konsultohet Kuvendi për informacione, kurse më pas të nxirren konkluzionet”
Debati publik për Ligjin e Prokurorisë Publike është organizuar vetëm për dy ditë, kurse për shkak të nevojës për përgatitje të tekstit të ligjit për Prokurori Publike, stenogramet e folësve janë përgatitur për një periudhë tepër të shkurtë, kanë thënë nga Kuvendi. Nga ky institucion ftojnë Profesoreshën Siljanovska që të vijë në Kuvend dhe personalisht të bindet se nuk bëhet fjalë për intervenime.